AKK për tenderin e ‘kurdisur’ për laptopë: Kufizimi i konkurrencës nëpër tenderë, i padëshirueshëm

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës e ka dhënë një mendim profesional për tenderin 9-milionësh të AQP-së që dyshohet se i është përshtatur vetëm një prodhuesi.

Seanca për këtë tender është mbajtur edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit, në të cilën AQP-ja ka insistuar se tenderi duhet të anulohet, pasi specifikacionet teknike i janë përshtatur vetëm një prodhuesi dhe rrjedhimisht një distributori me bazë në Shqipëri.

AQP-ja ka konstatuar se ishte kufizuar konkurrenca pasi specifikimet teknike të tenderit janë në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik. Gazeta ka mësuar se specifikacionet siç janë hartuar në fillim i ka plotësuar vetëm prodhuesi ‘Lenovo’.

Në raportin e AKK-së thuhet se politikat e konkurrencës dhe të prokurimit publik e prekin njëra-tjetrën për nevojën që të trajtohen praktikat antikonkurrese ose manipulimin e ofertave në tender publik.

“Autoriteti thekson se çdo kufizim ligjor apo faktik i numrit të operatorëve, të cilët janë potencial për t’u angazhuar në një veprimtari në një treg të caktuar në përgjithësi është e padëshirueshme nga pikëpamja e konkurrencës”, thuhet në mendimin profesional të lëshuar nga Autoriteti i Konkurrencës.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka rekomanduar gjykatën e tenderëve OSHP-në për tenderin “Furnizim me IT” të Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP).

AKK ka vlerësuar se autoritetet kontraktuese të mos diskriminojnë operatorët ndërmjet kushteve dhe kritereve, të cilat mund t’i përjashtojnë ato në aktivitete të prokurimit publik.

Sipas AKK-së, kufizimet e tilla mund të çojnë në favor të një operatori të veçantë duke i vendosur në pozita të pafavorshme konkurruese operatorët tjerë.

“Sigurimi i konkurrencës efikase në prokurimin publik, do t’i mundësonte ndërmarrjeve të konkurrojnë me ofertën e tyre e cila në fund, do të jetë në favor të shfrytëzueseve/përdoruesve përfundimtar të cilët do të jenë në gjendje të zgjedhin ofertën më të përshtatshme për ta midis produkteve/operatorëve te ndryshëm”, thuhet në komunikatën e AKK-së.

Historiku i tenderit kundërthënës

Më 9 gusht 2018 është publikuar njoftimi për kontratë për tenderin “Furnizim me pajisje të IT-së – ritender”. Vlera e parashikuar e kontratës është 9 milionë euro.

Më 31 gusht, AQP ka njoftuar se pranimi i tenderëve dhe hapja e tyre që ishte përcaktuar më 6 shtator është shtyrë për 25 shtator 2018. Kjo për arsye se operatorët ekonomik kanë dërguar pyetje për sqarimin e dosjes së tenderit.

Ata kanë thënë se në pyetjet ne lidhje me kriteret administrative do te përgjigjen stafi i Agjencisë Qendrore të Prokurimit, ndërsa në lidhje me pyetjet për hartimin e specifikimeve teknike do të përgjigjen ekspertet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit në kuadër të Ministrisë se Administratës Publike, “të cilët i kanë hartuar specifikat teknike në dosjen e tenderit”.

Më 18 shtator, AQP ka njoftuar se data e pranimit të ofertave është shtyrë përsëri. Tashmë nga 25 shtatori është shtyrë për 10 tetor.

Prej 12 operatorëve ekonomik aplikues, vetëm 6 prej tyre janë kualifikuar.

Më 16 janar 2019, AQP ka njoftuar se operatorët që janë kualifikuar janë “Ilir – Kosova”  & “Comtrade Computers O.K.”, “Infosoft Systems”, “Novus” & “Cactus”, “Storm ICT L.L.C” & “Storm Computers D.O.O”, “Botek” dhe “PBC” Sh.P.K & S.D.S “Softëare Development Solution” & GDI Gisdata Dooel.

Më 28 janar, AQP ka vendosur që të anulojë njoftimin për vendimin e Autoritetit Kontraktues për Marrëveshjen Kornizë – Furnizim me pajisje të IT-së – ritender dhe ta kthejë në rivlerësim. Ky vendim ka ardhur pas ankesave nga 6 operatorët ekonomik.

Duke iu përgjigjur 6 operatorëve ekonomikë të cilët janë ankuar, AQP ka marrë vendim mbi refuzimin e ankesës së “Europrinty” dhe ka i ka vlerësuar si pjesërisht të bazuara ankesat e pesë Grupeve të Operatorëve Ekonomik.

Si pjesërisht të bazuara ankesat e Grupit të Operatorëve Ekonomik “Tech Vision” & Ndërmarrja Tregtare Grafike “Blendi” & “More Technology”; Grupit të Operatorëve Ekonomik “Trio Tech” & “Artech” & “Astronik” & “Eramed”; Grupit të Operatorëve Ekonomik “Novus” & “Cactus”; Grupit të Operatorëve Ekonomik “PBC” Sh.P.K & S.D.S “Softëare Development Solution” & “GDI Gisdata Dooel” dhe Grupit të Operatorëve Ekonomik “Storm ICT L.L.C” & “Storm Computers D.O.O”.

Pasi tenderi është kthyer në rivlerësim, AQP ka kërkuar nga operatorë ekonomik ta vazhdojnë vlefshmërinë e ofertës. Më 4 shkurt ata kanë kërkuar që të vazhdohet afati i vlefshmërisë për 90 ditë ndërsa më 17 maj për 60 ditë.

Rreth katër muaj pasi është marrë vendimi për kthimin në rivlerësim, më 5 qershor, AQP ka marrë vendim për anulimin e tenderit.

“AQP anulon këtë aktivitet të prokurimit pas konstatimit se specifikimi teknik është në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe si rezultat i kësaj është vendosur sipas Ligjit të Prokurimit Publik që të anulohet ky aktivitet”, thuhet në njoftimin e AQP-së.

Pas këtij vendimi, AQP ka marrë ankesa nga operatorët ekonomik.

Më 14 qershor, AQP ka vendosur që t’i refuzojë si të pabazuara ankesat e operatorëve ekonomik “Ilir – Kosova”, “Novus”, “Storm ICT L.L.C”, “Infosoft Systems”, “PBC”, “Tech Vision” dhe “Botek”.

“Vërtetohet njoftimi për anulim i AQP-së dhe AQP vazhdon më tutje me procedurën e prokurimit”, thuhet në njoftim.

Ndërsa më 21 qershor është marrë vendim mbi pezullimin e këtij aktiviteti të prokurimit pasi janë njoftuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit se kanë marrë ankesa nga operatorët ekonomik në lidhje me këtë tender.

“Arsyeja e pezullimit është ankesa e operatorëve ekonomik në OShP”, thuhet në njoftim.

Një tender për furnizim me pajisje të IT-së ishte shpallur dhe anuluar edhe dy herë të tjera. Më 26 shkurt të vitit 2018, AQP kishte publikuar njoftimin për kontratë për “Furnizim me pajisje të IT-së”. Vlera e parashikuar për këtë tender ishte 6 milionë euro. Më 20 prill të vitit 2018, ky tender është anuluar.

Tenderi për furnizim me pajisje të IT-së është shpallur përsëri nga AQP më 27 prill 2018. Tenderi “Furnizim me pajisje të IT-së – ritender”, me vlerë të parashikuar 7.8 milionë euro është anuluar më 14 maj 2018.

Prova se tenderi 9-milionësh u kurdis dhe iu përshtat një prodhuesi