Video

Dita e 16-të e djegies së “Mushkërisë së Tokës”

Pyjet e Amazonës në Brazil kanë qenë viktimë e një numri rekord zjarresh këtë vit, sipas të dhënave të reja nga agjencia e hulumtimit hapësinor të vendit.

Të dhënat satelitore treguan rritje prej 83% në të njëjtën periudhë të 2018-s.

Xhungla e Amazonës, e njohur si “Mushkëria e Tokës”, ka 16 ditë që është duke u shkatërruar nga flakët e mëdha, raporton Reuters, transmeton KTV.

Ndërsa, autoritetet nuk kanë bërë asgjë për të kontrolluar zjarrin.

E, duke e parë neglizhencën e qeverisë, përdoruesit e rrjetit social “Twitter” krijuan hashtagun “#PrayForAmazonia” , me të cilin ndajnë imazhe dhe video të drunjve dhe kafshëve që shkrumbohen nga zjarri.

Ata fajësojnë autoritetet braziliane për injorimin e problemit, që mund të ketë pasoja katastrofike për të gjithë planetin.

Ndërsa, tymi që vinte nga Amazona ka shkaktuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike në Sao Paolo.

“Amazona thith aq shumë karbon sa na ndihmon ne që të luftojmë ndryshimet klimatike. Pra, çka bën është se ruan karbonin në tokë, në pyll dhe nuk është në atmosferë. Sa më i madh të jetë druri, aq më shumë dyoksid karboni arrin të ruajë. Një dru i madh mund të ruajë deri në 4 ton karbon. Tash imagjinoni sa të tilla ka në Amazonë dhe nëse ato digjen, karboni shkon në atmosferë dhe kontribuon në ngrohjen globale, ka thënë Erika Berenguer, shkencëtare në Institutin e Oxfordit për ndryshime klimatike.


Presidenti Bolsonaro konsideron se zjarret janë normale dhe, sipas tij, tani është koha e djegies së të korrurave për rigjenerimin e tokës punuese.

Por, shkencëtarët kanë fajësuar Bolsaron se i ka inkurajuar fermerët që të pastrojnë tokën ilegalisht, por ata shtojnë se e gjithë kjo është duke u bërë qëllimshëm për të shpyllëzuar hapësirën e Amazonës për aktivitete të ndryshme.

Që nga ardhja e tij në pushtet në janar, shkencëtarët kanë kritikuar politikat e tij që janë kundër konservimit të pyllit e që favorizojnë zhvillimin e ndërtimin e tij.


Qeveria e tij ka kritikuar gjobat për shpyllëzim dhe ka ndryshuar dënimet për krime ambientale.

Të dhënat e Agjencisë së Hulumtimit Hapësinor, Presidenti Bolsonaro i ka quajtur gënjeshtra dhe më herët e shkarkoi drejtorin e këtij instituti.

Pylli i Amazonës , zona më e madhe e pyjeve në botë, ka 390 miliardë drunj të 16.000 llojeve të ndryshme.

Ky vend thith rreth 2 miliardë tonelata dioksid karboni në vit dhe liron 20% të oksigjenit të Tokës, duke krijuar mundësinë e ekuilibrimit të reshjeve në mbarë globin.

Shumica e pjesës që i përket Amazonës, ndodhet brenda shtetit të Brazilit.