Reagon Telekomi: 305 telefonat nuk janë për menaxhmentin

Telekomi i Kosovës ka reaguar në lidhje me lajmin për blerjen e 305 telefonëve të mençur.

Në reagimin publik të tyre, Telekomi ka thënën se këta telefona nuk janë për menaxhmentin, por për konsumatorët, të cilët kanë shërbime ‘Vala postpaid’.

“Telekomi i Kosovës, me qëllim të informimit të drejtë mbi gjendjen aktuale si dhe transparencën në raport me gjendjen ekonomike dhe shpenzimet, njofton opinionin publik se shkrimi në disa media elektronike, me titull “Telekomi i Kosovës blen telefona të mençur-305 për menaxhment…”, është i pasaktë dhe i pavërtetë, për arsye se ka mbi 10 vite që Telekomi i Kosovës ka kontrata postpaid me institucione publike, komuna, universitete, kompani te ndryshme si dhe konsumatorë tjerë, dhe se këta telefona janë 100% të dedikuar vetëm për konsumatorë, të cilët kanë shërbime Vala postpaid (me telefon) dhe si rrjedhojë këto janë obligime kontraktuale në mes të Telekomit dhe institucioneve të ndryshme dhe bizneseve, dhe për asnjë moment kjo blerje nuk ka destinim qe këta telefona t’i jepen në përdorim menaxhmentit”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas Telekomit, shkrimet e tilla, kanë për qëllim që të diskreditojnë Telekomin, të humbin besimin e konsumatorëve dhe si të tilla, Telekomi i konsideron ato “tendencioze dhe të porositura”.

Gjatë ditës së sotme, KALLXO.com ka raportuar se Telekomi i Kosovës do të shpenzojë 207 mijë euro për blerjen e 305 telefonave të mençur.

KALLXO.com ka raportuar edhe për qëllimin e blerjes së këtyre telefonëve nga ana e Telekomit. Në dokumentin iniciues të prokurimit që është nënshkruar nga kunata e kryeministrit, Ramush Haradinaj, thuhet se telefonat do të shkojnë për konsumatorë.

Kriza në Telekom: Kunata e Ramush Haradinajt porosit 305 telefona luksozë para zgjedhjeve