Skandali i madh i BIK-ut: Mishi i prishur ishte planifikuar t’iu shpërndahet 15 mijë familjeve

21 mijë kilogramë është sasia e mishit që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar nga depoja e Bashkësisë Islame të Kosovës, gjatë së mërkurës.

AUV-i ka konstatuar se ky mish i kurbaneve është i rrezikshëm për konsum dhe ka urdhëruar asgjësimin e tërë sasisë që gjendej në depon e BIK-ut.

Zyrtarë të Agjencisë thonë se inspektimi i mishit është bërë me kërkesë të vetë BIK-ut.

Mirëpo, hiç më larg se të martën, nga kjo depo janë dërguar katër mijë kilogramë mish në xhaminë “Pavarësia” në lagjen “Kodra e Trimave” të Prishtinës.

Nga aty, mishi u është shpërndarë banorëve, 10 ditë pas festës.

Disa banorë të kësaj lagjeje kanë rrëfyer prapa kamerës për KTV-në se mishi që u është shpërndarë ka pasur shtresa myku dhe ka kundërmuar.

Imami i kësaj xhamie, Nexhmi Hoxha, ka thënë se me të vërejtur që mishi është i prishur, e kanë larguar dhe e kanë kthyer atë në depon e BIK-ut.

Hoxha thotë se më pas i kanë lajmëruar banorët që të mos e përdorin mishin.

Mirëpo, sekretari i Përgjithshëm i BIK-ut, Ahmet Sadriu, në ditën e Kurban Bajramit kishte deklaruar se BIK-u do t’u shpërndajë mish të kurbanit 15 mijë familjeve gjatë tri ditëve.

Ndër të tjera ai kishte folur edhe për therjen e kurbanëve në Hungari nga BIK-u, duke thënë se u është imponuar që të bëhet në atë vend.

“E kemi marr me përgjegjësinë më të lartë këtë detyrë. Kemi filluar me një numër shumë të vogël, ndërsa ka arritur një numër tejet i madh. Vitin e kaluar i kemi therur diku tetë mijë kurbanë. Fondi i bagëtive në Kosovë është në vazhdimësi në ulje, sidomos mbas luftës. Ky numër i krerëve gjendet shumë me vështirësi. Nëse ne kemi arritur t’i therrim 1200 krerë lopë dhe në të njëjtë kohë në Kosovë edhe njëherë apo dy herë më shumë therren, Kosova nuk e ka kapacitetin e dy ose tre mijë krerëve që t’i sigurojë brenda. Pastaj ne kemi ndjekur të gjitha procedurat. Kemi shpallur tenderin, kemi pranuar ofertat, kemi vizituar thertoret këtu. Nuk ka kapacitet në Kosovë, nuk na kanë ofruar mundësitë që t’i therin, sepse kjo është kohë e kufizuar. Brenda tri ditëve duhet t’i therin 1,200 lopë”, ka theksuar ai.

Sadriu ka thënë se kompania në të cilën BIK-u i therë kurbanët në Hungari është kosovare.

“Këtë vit kemi bërë një kontratë me një thertore në Istog që e ka një kapacitet të kufizuar ku do t’i therim 250 krerë lopë. Ndërsa të tjerat prapë në Hungari. Pra kjo na është imponuar edhe pse kompania që ne po i therim krerët në Hungari, është kompani kosovare, pronarët janë shqiptarë. Kushtet që na janë ofruar aty janë të favorshme, janë të standardeve më të larta, sepse Hungaria është në BE”, ka thënë ai.

Sipas tij, për festën e Kurban Bajramit BIK-u pritet t’u shpërndajë mish të kurbanit 15 mijë familjeve.

“BIK-u pritet t’ua shpërndajë deri në 15 mijë familjeve mish të kurbanëve në këto ditë të Bajramit, por edhe gjatë tërë vitit do të shpërndajmë. Po ashtu e ndalim edhe për nevoja tona, për nxënësit e Medreses”, është shprehur ai, duke iu uruar të gjithëve festën e Kurbanit. /Ballkani.info/

loading…