Mjeku - Foto: REL/Shutterstock

Cilat janë dy problemet kryesore të sistemit shëndetësor?

Në Kosovë është e pamundur të mos përballesh me qytetarët që kërkojnë ndihmë financiare për trajtim jashtë vendit, qoftë në rrugë ku shumë të rinj organizohen për të mbledhur para, qoftë në rrjete sociale ku kërkohet ndihmë e vazhdueshme por edhe në media. Në të njëjtën kohë, nuk ka person që ka kërkuar shërbime nga kujdesi shëndetësor publik e që nuk është ballafaquar me mungesën e furnizimeve që është dashur t’i blejë nga buxheti i vet familjar. Përderisa në sektorin privat duhet të paguajmë gjithçka nga xhepi përveç një pjese të vogël (rreth 3 % e popullatës) që janë të siguruar me sigurim privat.

Këto fenomene tregojnë se ky vend ka dy probleme kryesore në sistemin shëndetësor: së pari ofrimin e shërbimit për pacientët dhe së dyti mbrojtjen e qytetarit nga barra financiare që lidhet me sigurimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Kjo do të thotë se sistemi ynë shëndetësor ka probleme me dy nga tre dimensionet kryesore të një sistemi shëndetësor. E treta, gjithnjë sipas konceptit të mbulimit universal të popullatës që promovohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në të cilën Kosova i ka punët mirë, është mbulesa e popullatës.

Përderisa debatet dhe diskursi i diskutimit po edhe veprimit për politikat shëndetësore në vend shpesh fokusohen në çështje periferike, prioritet i çdo partie do të duhej të ishte zgjidhja e këtyre dy problemeve, pra përmirësimi i ofrimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarin dhe kursimi i tij nga barra financiare që lidhet me kujdesin shëndetësor.

Çështja e parë, pra përmirësimi i ofrimit të shërbimeve, në nivel të politikave të përgjithshme do të nënkuptonte një reformë të sistemit të ofrimit të shërbimeve në sektorin publik dhe privat që do të reflektohej në një strategji afatgjate për zhvillimin e kujdesit shëndetësor në vend.

Nëse do të merreshin veprime konkrete atëherë do të duhej që fokusi të bie në udhëheqjen dhe menaxhimin e mirë të institucioneve publike shëndetësore në të gjitha nivelet, zhvillimin e kapacitetit njerëzor dhe funksionale të institucioneve shëndetësore, pra investime serioze afatgjatë dhe përmirësim të cilësisë së shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor.

Sektori privat duhet të rritet me vizion të qartë

Rritja dhe zhvillimi i sektorit privat duhet të zëvendësohet me një zhvillim të kontrolluar të sektorit duke orientuar investimet në ato drejtime përmes të cilave fitojnë qytetarët dhe vet sektori i shëndetësisë. Për shembull, turizmi dental është shumë ide më e mirë se përfaqësitë e klinikave të huaja që rekrutojnë pacientë në Kosovë.

Sigurimet shëndetësore bëhen duke e gjetur modelin e përshtatshëm për rrethanat tona

Çështja e dytë, pra mbrojtja e qytetarit nga barra financiare, në nivel të politikave të përgjithshme shëndetësore do të duhet të adresohet përmes revidimi final i ligjit për sigurime shëndetësore si dhe ligjeve dhe rregullativave përcjellëse. Ne duhet ta kemi të qartë se mënyra se si ecet me veprimet konkrete drejt implementimit të skemës gjithëpërfshirëse të sigurimeve shëndetësore do ta përcaktojë suksesin e saj. E mira është se institucionet përgjegjëse, Ministria dhe Fondi, kanë filluar të tregojnë pjekurinë të merren me këto çështje në mënyrë profesionale. Ky trend duhet të sigurohet që të vazhdojë më tutje, e jo të ndërpritet si ndodh shpesh me iniciativat pozitive në Kosovë.

Duhet të jetë e qartë, se kjo reformë kërkon kohë edhe varet shumë nga ekonomia e një vendi dhe sjellja e shumë pjesëmarrësve të sistemit shëndetësor dukë përfshirë qytetarët, ofruesit e shërbimeve (profesionistët dhe institucionet e kujdesit shëndetësor) operatorët ekonomikë të barërave, organizatat që përfaqësojnë qytetarët apo profesionistët shëndetësorë e kështu me radhë. Andaj është strategji e duhur që të lidhet një përqindje e fiksuar e bruto produktit vendor me financimin e shëndetësisë, siç ka propozuar Fondi për Sigurime Shëndetësore.

Prej hapave më të rëndësishëm që duhen ndjekur është strategjia e mençur e definimit real të pakos së shërbimeve shëndetësore që i garanton Fondi për të financuar. Kjo pako dalëngadalë mund të zgjerohet ashtu që të plotësojë sa më shumë nevojat e popullatës së Kosovës.

Është po ashtu me shumë me rëndësi që mekanizmat kontraktualë me institucionet shëndetësore të përshtaten me realitetin e sjelljes së akterëve në sektorin e shëndetësisë në Kosovë dhe mundësive financiare.

Modelet nga jashtë sa i përket mekanizmave të funksionimit të skemës shëndetësore, që i idealizojmë, janë vetëm modele. Duhet të “zbulohet” dhe adaptohen ato që përkojnë me rrethanat tona shoqërore, ekonomike dhe politike. Këtë e kanë bërë edhe vendet tjera nëpër botë, përfshirë ato në Evropë por edhe rajon. Secila ka një sistem që i përshtatet realitetit të vet. Asnjëra nuk e ka njësoj. Të gjithë marrin modele të funksionimit të sistemit nga njëra tjetra por ia adaptojnë kontekstit të tyre. Kjo mund të jetë arsyeja pse shumica e tyre nuk kanë problemet që i kemi ne.

Zgjidhja e njërës pa tjetrën nuk do të funksionojë

Zgjidhja e njërës pa tjetrën nuk do të funksionojë. Andaj duhet një angazhim në dy drejtimet njëkohësisht. Pra çdo angazhim për reformën e mirëfilltë të sistemit shëndetësor duhet ta adresojë dimensionin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtjen e qytetarëve nga barra financiare që lidhet me shfrytëzimin e shërbimeve shëndetësore. Çdo që tjetër është ikje nga temat kryesore për adresimin e dy problemeve kryesore në shëndetësi.

 

Ilir Hoxha është specialist i shëndetit publik.  Ai ka shërbyer si këshilltar i jashtëm për Ministrinë e Shëndetësisë mes viteve 2010-2014 me fokus në sigurimet shëndetësore. Është ligjërues në Shkollën e Mjekësisë në Dartmouth dhe Kolegjin Heimerer në Prishtinë. Ka doktoruar në Universitetin e Bernit në lëndën e Shëndetit Publik.

 

Artikulli i radhës është pjesë e serisë së analizave që ofrojnë zgjidhje për problemet më të mëdha të Kosovës, probleme të cilat qytetarët presin që do të adresohen në programe politike gjatë këtyre zgjedhjeve. Këto analiza shkruhen nga ekipi jonë i ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm që kanë më shumë se 10 vjet përvojë pune në terren në fushën për të cilën po shkruajnë. Nëse ka njerëz tjerë me ide për zgjidhje të problemeve, e që janë jashtë partive, po i ftojmë të na shkruajnë analiza të ngjashme në ditët në vijim. Po e botojmë këtë seri me qëllim që të ushqejmë programet e partitë politike me ide për zgjidhje të problemeve. Qytetarët e Kosovës meritojnë të dëgjojnë më shumë se zhurmë, huti dhe prognoza koti prej shoqërisë civile e mediave, andaj po ofrojmë ide për gjithë ata që e kanë seriozisht garimin në këto zgjedhje me program. Me këto analiza nuk po e luajmë vetëm rolin e kritikut dhe përshkruesve të mirë të problemeve, por, nëse lexoni deri në fund, do të shihni sugjerime për zgjidhje të problemeve. Të gjitha idetë janë të hapura për tu inkorporuar në programe të partive politike dhe për t`u përdorur nga qytetarë e gazetarë për të zhvilluar debate substanciale gjatë zgjedhjeve.