Rama ftesë publike Bashës, Kryemadhit e aleatëve (pa Idrizin): Ulemi në dialog pa kushte për reformën zgjedhore

TIRANË- Ftesë për dialog pa kushte për reformën zgjedhore. Është kjo thirrja publike që kryeministri Edi Rama i bën liderit të Partisë Demokratike, kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi dhe aleatëve në atë që e kanë quajtur "opozita e bashkuar", që paçka ndasive dhe kundërshtive në aspektin politik të asaj çka përfaqësojnë, të bëhen bashkë për të gjetur hapësirat e një dialogu për të miratuar reformën zgjedhore.

Për kreun e qeverisë, edhe pse jashtë parlamentit, deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, opozita është votuar për të përfaqësuar një pjesë jo të vogël të zgjedhësve shqiptarë. Kjo është edhe arsyeja që Rama thekson pse "Kuvendi ja ka rezervuar një vend të posaçëm në Komisionin për Reformën zgjedhore", një proces që ka nisur me opozitën parlamentare.

"Ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat - sigurisht në rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte. Ju faleminderit EDI RAMA", shkruan ndër të tjera kreu i qeverisë.

Kriza politike që ka prekur vendin duket se do të nisë ta gjejë zgjidhjen përmes reformës zgjedhore. Për herë të parë, palët kundërshtare janë në një zë: Të ulen në dialog dhe ta gjejnë zgjidhjen mes tyre, pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Një "dëshirë" e shprehur kjo nga lideri demokrat Lulzim Basha, që është plotësuar këtë të mërkurë nga kryeministri Edi Rama. Më të tërhequr kanë qenë aleatët e Bashës, pjesë e opozitës së bashkuar. Dialogun nuk e kanë dashur kokë më kokë mes Ramës e Bashës, (ndoshta për të mos përsëritur një 17 maj të dytë), por kanë qenë të hapur që tryeza të udhëhiqet nga ndërkombëtarët. Roli i Presidentit thuajse ka dalë jashtë loje.

Kryeministri Edi Rama në këtë ftesë është kujdesur të përfshirë jo vetëm kryetarët e dy forcave më të mëdha politike të opozitës joparlamentare, PD-së dhe LSI-së, Bashën e Kryemadhin, por edhe kryetarët e partive aleate Nard Ndokën, Vangjel Dulen, Agron Dukën, Dashamir Shehim, Fatmir Mediun. Ka lënë jashtë kësaj ftese, kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizin, i cili në gjithë këtë krizë politike, është shfaqur pjesërisht në takimet dhe qëndrimet e opozitës së bashkuar, nxitur edhe nga përplasjet e forta që ka për çështjen çame, dhe faktin që asnjëherë nuk shfaqet krah Vangjel Dules së PBDNJ-së.

Letra e plotë e Ramës

Ftese publike drejtuesve te opozites joparlamentare Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka, Dashamir Shehi, Fatmir Mediu

Të nderuar zotërinj, e nderuar zonjë,

Ju drejtohem publikisht në përpjekjen për të krijuar një hapësirë dialogu e ndërveprimi mes nesh, lidhur me një sfidë të përbashkët të një rëndësie kombëtare, Reformën Zgjedhore. Kundërshtitë tona në aspektin politik janë botërisht të njohura dhe pozicionet respektive, në raport me hapësirën institucionale të vendit po ashtu. Sidoqoftë, përtej skajshmërisë së dallimeve tona, ne as nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe as nuk e zhbëjmë dot ekzistencën e njëri-tjetrit. Pra jemi të dënuar të bashkëjetojmë pavarësisht jopëlqyeshmërisë reciproke, për sa kohë të tjerët, zgjedhësit, na kanë dhënë mandate përfaqësimi, disave për të qeverisur e disave për të bërë opozitë.

Ju vendosët t’i digjni mandatet e hyrjes në Kuvend dhe të vetëpërjashtoheni nga jeta parlamentare e kësaj legjislature. Por gjithësesi, deri në zgjedhjet e qershorit 2021, ju jeni të votuar për të përfaqësuar një pjesë jo të vogël të zgjedhësve shqiptarë. Prandaj e dhe Kuvendi ka rezervuar një vend të posaçëm për ju, në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Procesi ka nisur në Kuvend me opozitën parlamentare dhe do të mbyllet në Kuvend natyrisht, por mungesa juaj ne institucionin më të lartë vendimmarrës të republikës, nuk ju përjashton vetvetiu nga hapësira e diskutimit për Reformën Zgjedhore. Përkundrazi. Të paktën ky është opinioni im dhe duke vënë re edhe mungesën tuaj në vetë tryezën e Komisionit Zgjedhor, ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat - sigurisht në rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte.

Ju faleminderit
EDI RAMA
Tiranë, 18 shtator 2019

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë