Në një video të BBC-së, diçka më shumë se 8 minuta tregohet se si ndonëse lufta mes Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar 2 dekada më parë, konflikti ende nuk është zgjidhur.

"Shqiptarët dhe serbët vazhdojnë të mbeten të ndarë pas Luftës. A mundet gjenerata e lindur pas saj të gjejë mënyrën për të jetuar bashkë", thuhet ndër të tjera. Në video tregohet historia e dy të rinjve, që jetojnë në dy pjesë të ndryshme të Mitrovicës, ndarë në dysh nga lumi i qytetit, mbi të cilin gjendet një urë.

Saktësisht 20-vjeçari Arian nga Kosova, që nuk ka takuar kurrë një shtetas/e serb/e dhe 16-vjeçarja nga Serbia, Selena.

"Ata duan diçka që nuk ju takon, kjo tokë nuk është e tyre. E shkuara nuk duhet harruar, por kjo nuk do të thotë që ne nuk mund të bëjmë më mirë", dëgjohet të thotë i riu.

"Nëse duhet të jetojmë këtu, atëherë le të jetojmë bashkë", shprehet 16-vjeçarja.  Në video tregohet se ndonëse të rinjtë gëzojnë dëshirën e mirë për ta ndryshuar këtë situatë, mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

Arian tregon se si pas luftës, familjes nuk i mbeti asgjë, sepse serbët dogjën gjithçka.

"Është e vështirë të jetosh këtu. Ne mendojmë se shqiptarët nuk i duan serbët dhe ata mendojnë se ne nuk i duam shqiptarët", tregon Selena.

Më tej vazhdon:

"Tani jam e  lumtur në Kosovë, por nuk e shoh veten me fëmijë këtu. Nuk ka të ardhme".

Në video bëhet i mundur takimi për herë të parë mes Arianit dhe një qytetareje serbe. Pas shumë hezitimesh, 20-vjeçari pranoi të takonte 16-vjeçaren nga ana tjetër e urës, nga pala tjetër e historisë.

"Jo më urrejtje mes nesh, të jetojmë të gjithë në paqe", është ajo çfarë dëshiron Ariani.