Kërcënon LS-ja: Vota e serbëve të Kosovës vetëm për kandidatët e Listës Serbe
FOTO: Laura Hasani

Kërcënon LS-ja: Vota e serbëve të Kosovës vetëm për kandidatët e Listës Serbe

Zgjedhjet 2019 September 23, 2019 - 08:17
Lexon detajet
Image

Lideri i Partisë së Serbëve të Kosovës (PKS), Aleksandar Jabllanoviq, nëpërmes një komunikate për medie ka njoftuar se Lista Serbe po i kërcënon dhe po i shantazhon votuesit serbë me largim nga puna. Për të siguruar fitoren e kandidatëve të Listës Serbe shteti i Serbisë ka angazhuar strukturat e BIA-s, ndërsa asaj në ndihmë i ka shkuar edhe “Mbrojtja Civile”, një strukturë paralele e sigurisë në veri të Mitrovicës, shkruan sot gazeta "Zëri"

Parafushatën zgjedhore, e cila zyrtarisht ende nuk ka filluar, Lista Serbe, e njohur dhe e regjistruar si GI “Srpska”, e ka vazhduar me vizita nëpër mjediset me popullatë serbe në gjithë Kosovën, posaçërisht në komunat që udhëhiqen nga ajo.

LEXO EDHE: Zgjedhjet e 6 tetorit, më të paparashikueshmet

Krerët e Listës Serbe kanë porositur votuesit serbë se duhet të votojnë vetëm Listën Serbe, sepse siç kanë thënë ata “është i vetmi subjekt politik që ka përkrahjen e shtetit të Serbisë dhe të presidentit Vuçiq e i cili punon ekskluzivisht për interesat e shtetit të Serbisë”.

Madje ata kanë kërcënuar të gjithë ata që mendojnë të votojnë për kandidatët e partive tjera serbe se do të ndëshkohen edhe nga populli, edhe nga Lista Serbe.

Lista Serbe kushtëzon votuesit me vende pune

Gjatë tubimeve me serbët udhëheqësit e Listës Serbe e përmendin kushtëzimin me vende pune për të gjithë votuesit serbë në territorin e Kosovës. Lista Serbe, posaçërisht ka shprehur frikën nga koalicioni i partive serbe “Liria”, i cili ka nominuar Nenad Rashiqin kandidat për kryeministër të Kosovës. Në këtë koalicion ndodhet edhe Lëvizja Evropiane e Serbëve, të cilën e udhëheq Rada Trajkoviq dhe e cila në çdo prononcim të saj akuzon Listën Serbe për përfshirje në vepra kriminale në pjesën veriore të Kosovës, posaçërisht se ka dorë në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. Ajo me emër ka akuzuar nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radojçiqin, se ka qenë organizator i vrasjes së Ivanoviqit dhe se ai është duke u mbrojtur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

SLS-ja e Sllobodan Petroviqit ka njoftuar se në Shtërpcë, në Qendrën e Mjekësisë Familjare janë larguar nga puna dy anëtarë të këtij subjekti politik, për shkak se familjarë të tyre janë kandidate për deputet të SLS-së për zgjedhjet e 6 tetorit. Se votuesit serbë gjithandej Kosovës janë duke u shantazhuar dhe duke u kërcënuar me humbje të vendeve të punës, nëpërmes të një komunikate për medie ka njoftuar edhe Partia e Serbëve të Kosovës – PKS.

“Partia Serbe e Kosovës e kupton frikën dhe shqetësimin që Lista Serbe, por me gjithë frikën reale nga humbja në zgjedhjet që po vijnë, ne nuk e pranojmë këtë si arsyetim për t’i kërcënuar votuesit dhe për t’i shantazhuar punëtorët më vendet e tyre të punës. Të dashur vëllezër nga Lista Serbe, me kërcënimet tuaja të rënda dhe me përpjekjet për të shantazhuar popullin ju po tregoni se frika ka mbizotëruar në mendjet tuaja. Partia e Serbëve të Kosovës do ta informojë KQZ-në, Prokurorinë e Kosovës dhe PK-në për kërcënimet që ju po ua bëni këto ditë anëtarëve të komisioneve zgjedhore, të cilët janë miratuar në mënyrë të rregullt nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke dërguar fakte të mbledhura dhe deklarata të viktimave, të cilët u janë nënshtruar kërcënimeve dhe presionit. Synimi juaj për të përdorur metoda dhe rregulla tjera, nga ato të përcaktuara me ligj në ditën e zgjedhjeve nuk do të ketë sukses e ai qëllim është qartë. Ne i ftojmë qytetarët të na raportojnë çdo kërcënim, shantazh dhe presion, në mënyrë që të mbrojmë të drejtën tonë për lirinë e mendimit e të veprimit politik dhe t’i dërgojmë abuzuesit dhe banditët atje ku e kanë vendin me ligj”, thuhet mes tjerash në reagimin e Partisë së Serbëve të Kosovës – PKS, të cilin e ka nënshkruar kryetari i PKS-së Aleksandar Jabllanoviq.

Për Listën, e angazhuar edhe BIA serbe

Në anën tjetër Lista Serbe është duke u përpjekur të gjejë mënyra që ta alarmojë KFOR-in, EULEX-in dhe Policinë e Kosovës për kinse provokimet e shqiptarëve në prag të zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës. Një mbishkrim “UÇK” në një gur në shtegun e alpinizmit në Berim të Mokra Gorës së Zubin Potokut ka nxitur alarmin e krerëve të Listës Serbe.

“Ajo që është veçanërisht shqetësuese është se personat në fotografi janë veshur me uniforma të maskuara me tyta të gjata dhe shtrohet pyetja, kujt i duhet një provokim i tillë në këtë kohë dhe për çfarë qëllimi”, thuhej në një deklaratë të Listës Serbe, duke i bërë thirrje KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës që urgjentisht t’i identifikojnë dhe t’i arrestojnë këta persona.

E ndërkaq për të siguruar fitoren e Listës Serbe në zgjedhjet e 6 tetorit është angazhuar edhe BIA serbe, e cila ka dërguar në veri njerëz të strukturave të larta të saj. Ata janë vendosur në një prej konvikteve të studentëve në veri të Mitrovicës. Gjithashtu pohohet se të tillë janë vendosur edhe në ndërtesën e Kryqit të Kuq Serb në veri të Mitrovicës dhe në Qendrën për Zhvillimin e Sportit në Zubin Potok. Theksohet në veçanti emri i njëfarë Bojan Dimiqit, për të cilin thuhet se ka prejardhje nga Prishtina dhe se ai është i vendosur përhershëm në hotelin “Gray” në veri të Mitrovicës. Janë angazhuar edhe njerëz që veprojnë nën urdhrat e Millan Radojçiqit dhe të Zvonko Veselinoviqit, bosët e nëntokës në komunat veriore të Kosovës, si dhe drejtues të të ashtuquajtur “Mbrojtja Civile”, një strukturë paralele serbe e sigurisë në veri të Mitrovicës. Ata kanë për detyrë për të bërë presion ndaj udhëheqësve të institucioneve në veri, si dhe ndaj njerëzve me ndikim, për të siguruar fitoren e plotë të Listës Serbe. Ata duhet të përkujdesen që të gjitha votat e serbëve të Kosovës t’i marrin kandidatët e Listës Serbe, pasi Beogradi nuk njeh asnjë parti politike serbe në Kosovë, përveç Listës Serbe./ZERI

Të rekomanduara