Arbëri

ZRRE-ja u bindet dokumenteve që janë lëshuar nga Ministria e Mjedisit

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka marrë vendim që t’ua vazhdojë licencën e operimit për periudhë njëvjeçare tri hidrocentraleve të kompanisë “Kelkos Energy” në Grykën e Deçanit, përkatësisht HC “Bellaja”, HC “Deçani” dhe HC “Lumbardhi 2”.

Në arsyetimin e vendimit të këtij institucioni, që është marrë të hënën, është thënë se ato janë pajisur me licencë pasi kanë plotësuar kërkesat për t’u pajisur me certifikatë të përdorimit dhe kanë aplikuar për leje mjedisore, shkruan sot Koha Ditore.

Udhëheqësi i Departamentit Ligjor dhe të Licencimit në ZRRE, Afrim Ajvazi, ka thënë se operatori ka sjellë këto dy dokumente dhe se është konstatuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor se këto dy hidrocentrale plotësojnë kushtet teknike për operim.

Edhe anëtari i bordit, Selman Hoti, ka thënë se ZRRE-ja qe një kohë të gjatë merret me shqyrtimet dhe se të gjitha diskutimet janë kryer.

Sa i përket rastit të hidrocentralit “Lumbardhi 2”, udhëheqësi i Departamentit Ligjor dhe të Licencimit në ZRRE, Afrim Ajvazi, ka thënë se specifikë e këtij hidrocentrali është shkyçja e tij nga rrjeti, ndërsa operatori është pajisur me certifikatë të përdorimit dhe ka aplikuar për leje mjedisore, sikurse edhe për dy hidrocentralet e tjera. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)