Sipërmarrësit italianë shprehën dje shqetësimin për zhvillimet ekonomike në Shqipëri, rënien e ritmeve të rritjes dhe përkeqësimin sipas tyre “progresiv të klimës së biznesit”.

Një një deklaratë të përbashkët Dhoma italiane e Tregtisë në Shqipëri dhe “Confindustria Albania”, Shoqata e industrialistëve italianë në Shqipëri, shprehen se i kanë ndjekur “me shqetësim shifrat e publikuara së fundmi nga INSTAT lidhur me rritjen e PBB-në për tremujorin e dytë të këtij viti”, e cila rezultoi të ishte 2.31 përqind, pothuajse në të njejtin nivel me atë të tremujorit të parë, por thuajse e përgjysmuar krahasuar me vitin e kaluar apo dhe më pritshëmritë e qeverisë për 2019.

“Prej disa tremujorësh tashmë, ekonomia shqiptare nuk po rritet me një ritëm që të mund të çojë drejt rritjes së punësimit dhe përmirësimit të pagave. Një rritje ekonomike prej 2,31% nuk mund të konsiderohet e kënaqshme dhe as e mjaftueshme për të gjeneruar vende të reja pune, apo për t’iu rikthyer nje cikli ekonomik rritës. Jo vetëm rritja ekonomike është thuajse e përgjysmuar krahasuar me parashikimet e Qeverisë për vitin 2019, por është e përgjysmuar edhe në krahasim më normën e rritjes së vitit 2017 (4%) dhe të vitit 2018 (4,2%)”, theksohet në deklaratë, ku shtohet se “megjithëse nuk mund të mohohet se përkeqësimi i të dhënave të rritjes ekonomike në tremujorët e fundit varet pjesërisht nga faktorë të jashtëm e të paparashikueshëm, si reshjet e pakta të shiut në këta muajt e fundit, gjithsesi do të ishte kufizuese nëse analiza e ketyre indikatorëve negativë do t’i atribuohej thjesht prodhimit më të ulët të energjisë elektrike në vend”.

Sipas Dhomës italiane të Tregtisë dhe “Confindustria Albania” “e vërteta shqetësuese është se shifrat në fjalë varen edhe nga një përkeqësim progresiv i klimës së biznesit që është rënduar edhe më shumë vitin e fundit. Shumica e bizneseve italiane dhe ato të huaja në përgjithësi, ashtu si dhe firmat shqiptare, japin sinjalin se shumë gjëra nuk po funksionojnë ashtu siç është premtuar, duke e vështirësuar krijimin apo zhvillimin e veprimtarive ekonomike – burimi i vërtetë i të ardhurave dhe punësimit”. Bizneset italiane shprehen se “funksionimi i administratës publike gjithashtu ka krijuar shqetësim ndër investitorët, të cilët janë tashmë të lodhur nga nëpunësit publikë që kanë tendencën t’u shmangen vendimeve për të cilat ata do të duhej të ishin kompetentë, si dhe çdo lloj forme dialogu konstruktiv dhe të vazhdueshëm me bizneset. Sipërmarrësit hasin vështirësi të dukshme në gjetjen e bashkëbiseduesve kompetentë dhe vetëm rrallë herë merr përgjigjet e duhura”, thekson deklarata.

Sipas dy shoqatave që përfaqësojnë sipërmarrjen italiane, më të madhen në numër në Shqipëri, “këto pengesa jo vetëm shtojnë mosbesimin e bizneseve që operojnë në Shqipëri me pasoja negative në synimet e tyre për investime, por kontribuuojnë edhe në përkeqësimin e perceptimit të riskut për Shqipërinë dhe për tërheqjen e cilitdo investitor të mundshëm. Pavarësisht këtyre – vijon më tej deklarata – vëmendja e institucioneve duket se përqëndrohet vetëm në debatet politike, pa u thelluar në analizën e shkaqeve të vërteta të ngadalësimit ekonomik dhe të klimës në rritje të humbjes së besimit që duket ka përfshirë të gjithë sipërmarrësit, duke preferuar, në vend të kësaj, të gjendet faji tek ndikimi i faktorëve të jashtëm”.

Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri dhe Confindustria Albania, kërkojnë “angazhimin e menjëhershëm të Qeverisë, të nëpunësve të saj dhe të të gjitha institucioneve, përfshirë dhe shoqatat e biznesit, për t’u përqëndruar në efikasitetin e reformave dhe që të vihen në zbatim të gjitha veprimet e nevojshme për t’i dhënë qartësi, siguri dhe parashikueshmëri, mjedisit të biznesit në respekt të rregullave të drejta, të përbashkëta dhe transparente”, theksohet në deklaratën e përbashkët.

Top Channel