Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi ka folur pas fitores ndaj Kosovës në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian.
Në një reagim për mikrofonin e “Rtsh Sport”, Bushi u shpreh se kjo fitore do i bëjë mirë Shpresave, që tashmë do kërkojnë të ndreqin hapin fals në grup me Andorrën.
“Është një fitore e radhës, ndaj një ekipi të fortë si Kosova. Kishim emocione, sepse jemi një komb, por jam i lumtur. Lojtarët e kanë përjetuar shumë, dhe isha në dyshim si do e përjetonin në fushë. Por, u shprehën mirë në detyrat që i kishim vënë”, tha fillimisht ai.
Pate frikë se do barazohej shifra?
Ndeshja ka emocione, janë 3 rezultate në lojë. Ishin dy ekipe me cilësi në fushë, donin fitore edhe ata, ne donim fitoren e parë. Minutat e fundit janë emocionuese. Zoti të ndihmon kur punon shumë. U shpërblyem me fitoren.
Shanset për kualifikim…
Janë të vështira, sepse kemi bërë një hap fals në Andorra. Por, shpresoj ta riparojmë nga ndeshja në ndeshje. Takimi me Anglinë është i rëndësishëm. Edhe pse janë një ekip i madh, do kërkojmë fitore. Kemi 5 ndeshje, janë 15 pikë në lojë. Jemi vend i vogël, me pak futbollistë, por mendoj se kemi shumë potencial. Duke parë edhe Kombëtaren e madhe me humbjen në Stamboll. Kemi zemër të madhe, dhe kur duam, bëjmë gjëra të mëdha.
4 lojtarë nga Superiorja titullarë në fushë…
Superliga ka rritje në zhvillim e saj. Shohim ekipe të organizuara, kanë trajnerë të mirë dhe luajnë bukur. Për këtë jemi krenarë. Fundja, nesër pasnesër do e kemi bazën nga kampionati. Avash avash, po bëhen stadiume dhe fusha të reja. Duke prodhuar futboll nga kampionati shqiptar, do kemi më shumë cilësi dhe rezultate në ekip.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: