Arbëri

Për vendosjen e kamerave në Fushë-Kosovë rekomandohet për kontratë operatori më i shtrenjtë

Descriptive Text

Vendosja e kamerave të sigurisë në qytet dhe në institucione publike në Fushë-Kosovë ka mbetur peng i procedurave të prokurimit. Zyrtarët e këtij institucioni kanë rekomanduar për kontratë një operator ekonomik që e kishte ofertën më të shtrenjtë për 8 mijë euro në krahasim me një operator tjetër ekonomik.

Ky i fundit është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit edhe për shkelje të tjera të pretenduara në këtë tender, vlera e parashikuar e të cilit është 139 mijë e 674 euro. Megjithatë, OSHP-ja nuk i ka miratuar të gjitha pretendimet e OE ankues “BM GROUP” Sh.p.k.-Prishtinë lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Vendosja e kamerave për të rritur nivelin e sigurisë në pikat kryesore të qytetit, si dhe në institucione publike të Komunës së Fushë-Kosovës” me nr. të prokurimit 6112-19-6207-2-1-1, të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues (AK) KK Fushë-Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.

Paneli shqyrtues ka konstatuar se çështja e listës së punëtorëve, diplomave, referencave, CV-ve dhe dokumenteve të tjera, të cekura në ankesën e OE ankues, janë në përputhje me kërkesat e Dosjes së Tenderit (DT). Të pabazuar ky organ e ka vlerësuar edhe ankesën për çështjen e kontratave të punëtorëve. Paneli shqyrtues ka konstatuar se produkti i ofertuar nga grupi i OE “Enteri” Sh.p.k. është në përputhje të plotë me kërkesat dhe karakteristikat e kërkuara në paramasën e DT nga ana e AK-së.

Ndërkohë, paneli shqyrtues ka kërkuar nga autoriteti kontraktues (Komuna e Fushë-Kosovës) të sqarohet identiteti i inxhinierit të elektroteknikës, nëse bëhet fjalë për të njëjtin person, pasi në diplomë figuron me emrin Zymer Veliu, ndërsa në referencë dhe në kontratë të punës me Zymer Veliqi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)