Transmetuar më 05-12-2019, 09:42
Ilir Meta, Tedi Blushi

Mesditën e sotme në Presidencë, hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

“Sot në ora 12.00 në Institucionin e Presidentit të Republikës hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtesi (KED)”, bën me dije zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi.

Më herët Presidenti ka bërë me dije do ta ndjekë me shumë rigorozitet gjithë veprimtarinë e KED, për të mos lejuar më asnjë devijim nga parimet dhe dispozitat kushtetuese dhe të ligjit për të mbrojtur integritetin e mëtejshëm të gjithë procesit për ngritjen dhe funksionimit e plotë të Gjykatës Kushtetuese.

Në mes të muajit nëntor, kreu i shtetit dorëzoi kallëzimin penal ndaj kreut ekzistues të këtij institucioni, Ardian Dvorani, të cilin e akuzon për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim titulli apo detyrës shtetërore”.

Meta e akuzon Dvoranin se ka bërë disa shkelje të rënda, të cilat cenuan legjitimitetin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Gjithçka lidhur me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese, pasi për të njëjtin vend Parlamenti votoi të propozuarën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Arta Vorpsin, ndërsa Presidenti dekretoi Marsida Xhaferllarin.

Presidenti e bën Dvoranin si përgjegjës për situatën në Gjykatën Kushtetuese. Meta e akuzon Dvoranin se i ka dërguar Presidentit dy herë qëllimisht në të njëjtën ditë listat e kandidatëve për dy vende vakante, gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të Kushtetueses. /a.y/noa.al/