Arbëri

Gjermania në janar dërgon zyrtarë në Kosovë për të shqyrtuar njohjen e patentë shoferëve

Foto: Koha

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, Beqë Cufaj është ftuar me datën 4 dhjetor në Ministrinë e Komunikacionit dhe Çështjeve Digjitale të Qeverisë së Gjermanisë, sipas Ambasadës së Kosovës në Gjermani.

Në këtë takim, Ambasadori Cufaj është pritur nga Drejtori i kësaj Ministrie, Guido Zielke me bashkëpunëtorë.

Drejtori gjerman, Guido Zielke ka bërë të ditur se ata në janar do të dërgojnë një ekip në Kosovë për të shikuar gjendjen në terren, situatën me qendrat testuese, prodhimin e patentë shoferëve dhe sidomos shqyrtimin e situatës në aspektin e sigurisë rrugore në Kosovë, kanë bërë të ditur nga Ambasada e Kosovës.

“Pasi kanë shqyrtuar aspektete relevante të bashkëpunimit mes dy shteteve pikë kryesore e takimit ka qenë njohja reciproke e patenshoferëve mes dy vendeve pas Aplikimit Zyrtar që Kosova ka bërë vjeshtën e vitit 2018.

Z. Zielke ka njoftuar Ambasadorin Cufaj që Qeveria e Gjermanisë e përkrah njohjen reciproke të patentë shoferëve mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Procesi në fjalë ka shënuar progres të dukshëm dhe po punohet që me hapa të shpejtë të vie deri tek përmbyllja e këtij procesi i cili nga pala gjermane në nivel teknik përmbyllet nga Ministria në fjalë dhe Ministrat përkatës të 16 Republikave gjermane në Konferencën e tyre vjetore. Kosova ka shënuar progres në këtë proces.

Z. Zielke ka njoftuar Ambasadorin Cufaj që një Delegacion i kësaj Ministrie në muajin Janar do të udhëtojë në Kosovë për të parë edhe gjendjen në terren: situatën me qendrat testuese, prodhimin e patentë shoferëve dhe sidomos shqyrtimin e situatës në aspektin e sigurisë rrugore në Kosovë- pasi që procesi lidhet drejtpërdrejtë sidomos me aspektet e sigurisë dhe sidomos numrin e aksidenteve në rrugët e Kosovës.

Ambasadorit Cufaj i është thënë po kështu që Qeveria e Gjermanisë është plotësisht e vetëdijshme për nevojë dhe domosdoshmërinë e përmbylljes së këtij procesi prandaj edhe urgjenca e kësaj vizite”, kanë deklaruar ata nëpërmes një deklarate.