Kryeqyteti pa ngrohje, Termokosi jep këtë arsye

Disa lagje në Komunën e Prishtinës kohwt e fundit po përballën më mungesë të ngrohjes nga Termokos. Lagja “Ulpiana” që tri ditë nuk ka ngrohje derisa edhe në “Aktash” si dhe në Qendër që nga dita e djeshme mungon ngrohja.

Termokos doli dje me një njoftim duke thënë se për shkak të një gypi të dëmtuar, këto lagje kanë mbetur pa ngrohje. “NP “Termokos” Sh.A, njofton konsumatorët e lagjes “Ulpiana”, se sot në orët e pasdites është identifikuar një rrjedhje në gypin e ngrohjes në afërsi të shkollës “Hasan Prishtina”.

Si pasojë e kësaj rrjedhjeje jemi detyruar, që të ndërpresim furnizimin me ngrohje për gjithë lagjen “Ulpiana””, ekipet tona janë në terren në përpjekje për të sanuar dëmtimin e gypit të ngrohjes”, është thënë në komunikatë. Indeksonline ka kontaktuar sot zyrtarët e Termokosit lidhur me këtë rast ku sipas zëdhënëses Afërdita Uka-Fejzullahu, ndërprerje të furnizimit me ngrohje ka pasur vetëm në “Ulpianë”.

“Në fakt, gjatë pasdites së djeshme ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ngrohje ka pasur vetëm për konsumatorët e lagjes “Ulpiana”, për shkak të një rrjedhje në gypin magjistral në afërsi të shkollës “Hasan Prishtina”.

Ndërkaq, lagjet tjera janë furnizuar me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore gjatë gjithë kohës. Ndonëse ekipet tona kanë arritur ta identifikojnë menjëherë vendndodhjen e shpërthimit të gypit dhe kanë filluar të punojnë për evitimin e këtij problemi, gypi ka qenë shumë i dëmtuar si pasojë e lagështisë nga rrjeti i ujërave të zeza dhe është dashur të intervenohet në disa vende për të sanuar rrjedhjet.

Ekipet tona kanë punuar deri në orët e vona të natës, kur është ndërlikuar ndërhyrja dhe është rrezikuar siguria e punëtorëve tanë. Për këtë arsye punimet janë pezulluar deri në orët e hershme të mëngjesit, prej kur ka vazhduar sanimi i këtij gypi dhe zëvendësimi i tij me gyp të ri. Tashmë janë në përfundim punimet për të evituar këtë problem dhe shumë shpejtë pritet rikthimi i furnizimit me ngrohje për lagjen “Ulpiana”, tha Afërdita Uka-Fejzullahu.

Ndonëse, nga Termokosi thuhet se vetëm një lagje është duke u përballur me ndërprerje të furnizimit të ngrohjes, Indeksonline mëson së janë edhe Lagjja “Aktash”, Qendra e Prishtinës si dhe Spitalet të cilat nuk janë dukë u furnizuar me ngrohje që nga dita e djeshme