Moderatorja mjaft e njohur e programeve sportive, Vilma Masha, aktualisht po përjeton një nga momentet më të bukura për një grua sepse është në pritje të ëmbël. Ajo sapo ka hyrë në muajin e 9-të të shtatzënisë dhe do të bëhet nënë e një vajze. Së fundmi ka qenë e ftuar në programin “Rudina”, ku ka rrëfyer momentet e bukura që po përjeton, por edhe historinë e saj të dashurisë.

Vilma është martuar në 30 Shtator të 2018-s me Dorin, ndërsa 1 vit më vonë u zbulua për publikun se është në pritje të fëmijës së parë. Në 18 Nëntor, ajo u shfaq me barkun e rrumbullakosur më dukshëm se kurrë më parë, për të raportuar nga fusha e gjelbërt ndeshjen Shqipëri-Francë, që u mbajt për herë të parë në stadiumin e ri “Air Albania”.

Ajo tregon se ndryshe nga çfarë mikeshat i kanë thënë, periudha e shtatzënisë ka ecur mjaft mirë dhe ajo nuk ka patur luhatjet hormonale. Madje ka qenë mjaft aktive gjatë kësaj periudhe dhe ka udhëtuar edhe jashtë vendit për hir të punës.

Periudha ka qenë aktive që në momentet e para. Madje unë kam udhëtuar edhe jashtë, për hir të punës dhe ndeshjeve të tjera. Fatmirësisht më ka ecur mirë, nuk ishte për t’u ankuar. Kam qenë krejtësisht normale në gjërat që kam bërë, nuk e kam përjetuar me ndonjë emocion të jashtëzakonshëm apo këto luhatjet hormonale që thonë. Mua më është dukur një vijmësi, nuk është se kam përjetuar ndonjë gjë shumë të madhe”.

Vilma tregon gjithashtu se nuk ka marrë shumë kilogramë nga shtatzënia dhe duke qenë se nuk ka patur probleme, nuk ka marrë as lejen e lindjes dhe vazhdon të jetë ende në punë.

Nuk kam shtuar shumë edhe prandaj ndihem edhe pak më lehtë dhe aktive për të qenë në punë. Unë vijoj të punoj, nuk e mora lejen e lindjes, duke qenë se gjërat më ecën normalisht, nuk pata nevojë që ta merrja”.

Dasma e saj ishte një dasmë jo shumë e madhe, e thjeshtë, e cila zgjati rreth 4 orë.

“Jemi njohur përmes miqve të përbashkët. Momenti që e kam parë për herë të parë ka qenë në rrugë me disa njerëz që unë njihja dhe kështu ishte. Le të themi që impakti i parë që më bëri përshtypje ishte pamja. Filloi më pas njohja graduale, gjërat erdhën gradualisht, për të përfunduar më pas në bashkëjetesë dhe më pas martesë. Këtu kam thënë që nuk e kam marrë propozimin, mbas emisionit e mora”./tvklan.al