Arbëri

ANP-ja largon tre punëtorë, Sindikata s’përjashton mundësinë e protestave

Gjashtë punëtorë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës janë larguar nga puna, që nga koha kur Shoqata Sindikale e Aeroportit protestonte për të kërkuar të drejtat e tyre.

Sipas kryetarit të kësaj sindikate, Bashkim Latifi, tre punëtorë janë larguar së fundmi.

Latifi thotë se atyre po u hakmerret menaxhmenti i ANP-së, vetëm pse kanë protestuar gjatë gushtit të vitit 2019.

Shoqata Sindikale i është drejtuar me një kërkesë menaxherit kryesor dhe ka kërkuar që këto forma të presionit të ndalen, raporton KTV.

Madje, ata nuk e përjashtojnë mundësinë edhe për greva ose eskalim të situatës.

Televizioni ka kërkuar përgjigje nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” lidhur me këtë çështje, mirëpo gjatë së shtunës, nuk ka marrë përgjigje.

Mes të tjerash, punëtorëve të aeroportit, sipas sindikatës, në vazhdimësi u janë shkelur të drejtat e tyre.

Sipas përfaqësuesve të kësaj sindikate, për arsye të ndryshme, punëtorët janë degraduar në pozita ose edhe janë larguar nga puna.