Rrjetet sociale dhe videolojërat ndikojnë negativisht në paraqitjen e futbollistëve

Rrjetet sociale dhe videolojërat ndikojnë negativisht në paraqitjen e futbollistëve

Sport January 26, 2020 - 09:07
Lajmet e fundit nga sporti

Një studim i futbollistëve brazilianë ka zbuluar se përdorimi i rrjeteve sociale dhe luajtja me videolojëra para ndeshjeve ndikon në lodhjen mendore të tyre. Si pasojë e kësaj vendimmarrja e tyre në fushë është më e ngadaltë dhe më e dobët, transmeton zeri.info

A mund të ndikojë përdorimi i shumtë i rrjeteve sociale “Twitter”, “Facebook” apo “Instagram” në paraqitjen e një futbollisti?

Manchester Unitedit duket se mendon që po. Një raport para udhëtimit të tyre në “Anfield” thotë se klubi ishte konsultuar me disa ekspertë për mënyrën se si t’i ndihmojë yjet e skuadrës me efektet negative mendore të medieve sociale dhe gjithashtu sugjeroi që kishte shqetësime se lojtarët ishin duke vuajtur në formë si rezultat i abuzimeve në internet. Disa mund të thonë se lojtarët thjesht duhet të jenë të fortë. Por shkencëtarët janë duke shqyrtuar me kujdes se si lodhja mendore – mungesa e energjisë që e ndiejmë për një periudhë të gjatë për shkak të veprimtarisë konjunktive – mund të ndikojë në paraqitjen sportive, shpesh me rezultate befasuese.

Vetëm në javën e kaluar një studim nga akademikët në futbollin profesionist brazilian publikuan në prestigjiozen “Sports Sciences” erdhi me disa përfundime të qarta. Të qenët në rrjete sociale në telefona të mençur dhe të luajturit videolojëra për së paku 30 minuta para ndeshjeve zyrtare dëmton vendimmarrjen e pasimeve në paraqitjen e futbollistëve profesionistë. Këshilla e hulumtuesve për trajnerët ishte e prerë, po aq sa gjuajtjet e lira të Zicos. “Trajnerët duhet ta vlerësojnë përdorimin e rrjeteve sociale në telefona të mençur ose të luajturit në videolojëra para ndeshjeve zyrtare në futboll”.

Është e thjeshtë për t’u imagjinuar se shumë trajnerë të moçëm do të rrotullonin sytë dhe do të thoshin: “Na thoni diçka që nuk e dinim para 10 vjetësh”.

Artikulli thirrës kishte titullin: “Efekti i telefonave të mençur dhe luajtja e videolojërave në vendimmarrjen e lojtarëve në futboll: Një studim i thellë dhe i rastit”.

Ndikimi i rrjeteve sociale dhe i videolojërave në paraqitje

Hulumtimi i akademikëve ishte bazuar në një seri të ndeshjeve parasezonale, të luajtura nga lojtarë profesionistë nga dy ekipe në Brazil. Para secilës ndeshje ata i ndanin lojtarët në tri grupe. Grupi i parë kontrollues shikonte video për 30 minuta. Grupi i dytë shikonte në rrjetet sociale për të njëjtën periudhë. Grupi i tretë luante videolojën “FIFA 18”. Futbollistët gjithashtu bënë edhe një test psikologjik para dhe pas këtyre aktiviteteve për të shikuar gjendjen e tyre mendore. Ata më pas u ngrohën dhe luajtën një ndeshje 90 minuta që u filmua dhe u analizua. Tri apo katër ditë më vonë lojtarët ndryshuan aktivitetin e tyre para ndeshjeve dhe luajtën 90 minuta të tjerë. Gjashtë ndeshje u luajtën në total dhe për t’i mbajtur lojtarët e motivuar u ishte thënë para ndeshjeve se kjo do të përdoret për të zgjedhur ekipin titullar në fillimin e edicionit. Kujdesi nuk mori fund këtu. Akademikët kërkuan nga pjesëmarrësit që të vlerësonin nivelin e tyre të energjisë para secilës ndeshje për t’u vlerësuar nga ndeshja paraprake. Pas kësaj lojtarëve u është analizuar edhe niveli i gjakut dhe u ishte kërkuar të japin vlerësimin e angazhimit të tyre gjatë lojës. Gjithashtu dy analistë me përvojë i shikuan të gjitha ndeshjet. Detyra ishte e thjeshtë: të vlerësojnë çdo pasim të bërë nga secili lojtar dhe të vlerësojnë se a ishte i mirë ose jo veprimi. Pas kësaj shifrat kishin dalë, shkencëtarët zbuluan se derisa secili prej grupeve, shikuesit e videove, përdoruesit e rrjeteve sociale dhe lojtarët e “FIFA 18”, bënë një numër të ngjashëm të pasimeve, kualiteti i vendimmarrjeve në pasime ra te lojtarët që kishin përdorur rrjetet sociale ose kishin luajtur “FIFA” krahasuar me shikuesit pasiv të videove.

Kështu, çfarë është duke ndodhur? Të gjithë e dimë se futbolli është një sport shumë dinamik dhe taktik, që kërkon nivel të lartë mendor në vendimmarrje. Sidoqoftë, akademikët sugjeruan se përdorimi i rrjeteve sociale dhe të luajturit “FIFA 18” çon në një periudhë të prolonguar të impulseve elektrike në disa zona të trurit, duke ulur procedimin e shpejtësisë së informacioneve, duke çuar në më pak saktësi të vendimmarrjes së suksesshme. “Kur janë të lodhur mendërisht, sportistët zakonisht demonstrojnë analizim më të gjatë kohor të kundërshtarit dhe analizim më të shkurtër kohor të bashkëlojtarëve të tyre”, thotë hulumtimi. “Sportistët e lodhur mendërisht mund të mos interpretojnë në mënyrë të saktë ose të parashikojnë aksionet e kundërshtarit, që ndikon në saktësinë e vendimmarrjes. Duket se lodhja mendore ndikon negativisht në mënyrën se si lojtarët zgjedhin aksionet e tyre taktike gjatë ndeshjeve”.

Ky është një studim i vogël, njëri prej të paktëve që ka shikuar prova konkretë të lidhjes mes telefonave të mençur dhe videolojërave në paraqitjen elitare në fushë. Sidoqoftë, studimet e tjera të bazuara në sportistët joelitarë kanë gjetur se lodhja mendore ka ndikuar në reagime më të ngadalshme dhe më pak të sakta, perceptim vizual më të dobët dhe madje edhe rënie të lëvizjeve kolektive në ndeshjet me më pak lojtarë.  Diku tjetër studimet laboratorike kanë gjetur edhe prova të refuzimit të paraqitjes së gjatë pas një detyre mendërisht të sfidueshme. Një studim, për shembull, ka gjetur një rënie të konsiderueshme të prodhimit të energjisë në një provë 20-minutëshe të çiklizmit kur atletët tashmë janë të lodhur mendërisht. Kërkime të tjera, të bazuara në intervistat me sportistët elitarë australianë, gjetën se lodhja mendore mund të ndikojë negativisht në paraqitjen e lojtarit në mënyra të tjera, duke përfshirë rënien e motivimit, të entuziazmit dhe vëmendjen ndaj detajeve. Ndoshta kjo nuk është ndonjë befasi e madhe.

Në çdo vlerësim mesazhi i akademikëve brazilianë është shumë i qartë: qëndrimi larg rrjeteve sociale para fillimit të ndeshjes jo vetëm që mund t’ju ndihmojë t’u shpëtoni talljeve, por edhe për paraqitjen më të mirë tuajën./Zëri