UEFA ndryshon formatin, “zhduket” Europa League. Ja shanset e Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2020 | 12:00

UEFA ndryshon formatin, “zhduket” Europa League. Ja shanset e Superiores

A do të jetë Shqipëria një prej 34 federatave që do të marrë pjesë në një nga tri kompeticionet e UEFA-s për sezonin 2021-2022? Përmes ndryshimeve që ka bërë institucioni i lartë europian, pretendon që të përfshijë sa më shumë skuadra, duke krijuar një tjetër kompeticion si UEFA Conference League. Përmes një njoftimi, Federata Shqiptare e Futbollit ka sqaruar gjithçka do të ndodhë pas 2 sezonesh.uefa-champions-vs-europa-league

Shihet qartazi që për Shqipërinë bëhet e vështirë pjesëmarrja në Ligën e Europës, pasi në mënyrë direkte nuk do të marrë pjesë asnjë ekip në raundet eliminatore. Numri i skuadrave në Europa Ligë është ulur ndjeshëm dhe kjo i zbeh shanset e shqiptarëve për të marrë pjesë aty (edhe pse jo e pamundur). Kjo ndodh edhe për shkak të renditjes në vendin e 38-të në UEFA, sepse me përmirësimin e renditjes shtohen edhe shanset.

Por, në sezonin 2021-2022 mundësia për të qenë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës është më e madhe. Ky kompeticion është bërë enkas për federatat e vogla, në mënyrë që të përfaqësohen dhe të marrin pjesë më shumë dhe ekipet e tyre të mos eliminohen pas 2-3 ndeshjesh. Megjithatë, kjo shmang rivalët e fortë për ekipet shqiptare. Nuk është e qartë mënyra se si do të shpërndahen milionat nga pjesëmarrja në kompeticionet europiane, por UEFA do të gjejë një mënyrë për t’i kënaqur sërish klubet me shpërndarjen.
Skenderbeu2-470x313

NJOFTIMI – UEFA, përmes qarkores 5/2020, informon lidhur me ndryshimet e formatit të kompeticioneve të Ligës së Kampioneve, Ligës së Europës dhe Ligës së Konferencës për ciklin 2021-2024. Ky format u jep klubeve shqiptare më shumë mundësi për të luajtur në fazën e grupeve të kompeticioneve europiane. Kjo do të ndikojë në motivimin e klubeve tona dhe angazhimin e tyre në arenën evropiane. Gjithashtu, kjo mund t’i ndihmojë klubet edhe nga ana financiare. Përmes këtij formati, të paktën 34 federata do të jenë të përfaqësuara në fazën e grupeve, në një prej kompeticioneve.

FORMATI DO TË JETË ME KËTË STRUKTURË:

  • Liga e Kampioneve – 32 ekipe, në 8 grupe me 4 ekipe; 125 ndeshje në 15 javë ndeshjesh;
  • Liga e Europës – 32 ekipe, në 8 grupe me 4 ekipe; 141 ndeshje në 15 javë ndeshjesh;
  • Liga e Konferencës Europiane, – 32 ekipe, në 8 grupe me 4 ekipe; 141 ndeshje në 15 javë ndeshjesh.

Aktualisht, Shqipëria renditet në vendin e 38-të të UEFA-s, ku nga përcaktimi i formatit të ri, në rast se vendi ynë do të vijojë të mbajë këtë vend në renditje, do të mund të përfaqësohemi me 4 ekipe, ku:

  1. Ekipi kampion i Shqipërisë hyn në raundin e parë të Ligës së Kampioneve;
  2. Fituesi i Kupës së Shqipërisë hyn në Ligën e Konferencës në raundin e parë (në rast se fituesi i Kupës së Shqipërisë është i njëjtë me vendin e parë, të dytë ose të tretë, vendi kalon te vendi i katërt në kampionat);
  3. Vendi i dytë në kampionat hyn në Ligën e Konferencës në raundin e parë;
  4. Vendi i tretë në kampionat hyn në Ligën e Konferencës në raundin e parë.

Sipas skemës së formatit të propozuar:

  • Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në raundin e parë të Ligës së Kampioneve, atëherë kalon në raundin e dytë të Ligës së Konferencës;
  • Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në raundin e dytë të Ligës së Kampioneve, atëherë kalon në raundin e tretë të Ligës së Europës;
  • Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në raundin e tretë dhe “play-off”-et e Ligës së Kampioneve, respektivisht luan “play-off” ose kalon direkt në fazën e grupeve të Ligës së Europës;
  • Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në raundin e tretë të Ligës së Europës, atëherë kalon në raundin “play-off” të Ligës së Konferencës;
  • Në rast se ekipi ynë kampion skualifikohet në raundin “play-off” të Europa Ligës, atëherë kalon në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Kalendari, pavarësisht se planifikohet të mbahet ai i njëjti i kompeticioneve të klubeve UEFA, do të saktësohet në periudhën në vijim.

  • Oraret e ndeshjeve do të jenë 18:55 dhe 21:00, e martë, e mërkurë dhe e enjte;
  • E marta dhe e mërkura do rezervohen për Championsin;
  • Liga e Europës dhe ajo e Konferencës do t’i ndajnë ndeshjet në mënyrë të barabartë në dy oraret e së enjtes;
  • Për ndeshje që do të luhen në zona mbi dy orë nga ora europiane do të rezervohet orari 16:30.
  • Nivelet e shpërndarjes financiare dhe pagesat e solidaritetit për klubet pjesëmarrëse do të komunikohen nga ana e UEFA-s në vijim gjatë këtij viti.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"