10:42 / E Diele, 26 Janar 2020 / indeksADMonline

Pas virusit kinez, bursat amerikane në rënie të ndjeshme

Bursat amerikane pësuan një rënie të ndjeshme gjatë së premtes, me investitorët duke shitur masivisht aksione.

E gjitha për shkak të frikës që po mbretëron si rrjedhojë e virusit të ri kinez që duket se po përhapet me ritme të shpejta.

S&P 500 regjistron kështu javën më të keqe në 6 javë. Të tre indekset kryesore të bursës amerikane u regjistruan në rënie gjatë së premtes, me Standard and Poor’s 500 që regjistron rënien më të madhe në më shumë se 3 muaj, menjëherë pasi autoritetet amerikane raportuan rastin e dytë në territorin amerikan të prekur nga virusi.

Fokusi kryesor i tregjeve dhe investitorëve për momentin është virusi i ri kinez.

“Tregjet e urrejnë pasigurinë, dhe virusi ka mjaftuar për të injektuar një lloj pasigurie në tregje”, shprehen ekspertët dhe analistët e tregjeve.

Por, ka nga ata që mendojnë se investitorët thjesht ishin duke kërkuar për një arsye për të shitur. Shumëkush e konsideron virusin si një justifikim për të tërhequr fitimet.