Çfarë spektakli në Serie A, derbi i kryeqytetit dhe rikthimi i Sarrit në Napoli në të njëjtën natë!

26/01/2020 10:44

11 fitoret radhazi të ekipit të Lacios e kanë afruar ndjeshëm klubin “bardhekaltër” me kreun në Serinë A dhe skuadra e drejtuar nga trajneri Simone Inzaghi do të bëj cmos jo vetëm për të bërë përpara në këtë rrugë por gjithashtu edhe për të vazhduar këtë ecuri pozitive pikërisht në dëm të rivalëve të urryer të Romës.

Derbi i “Qytetit të Përjetshëm” rikthehet sërish në Stadio Olimpico dhe sërish ashtu si edhe në fazën e parë dueli i zjarrtë i kryeqytetit italian do të luhet në orën 18:00. Në fazën e parë dy ekipet dhuruan spektakël duke goditur plot pesë herë shtyllën dhe traversën, por gjithsesi në fund dy rivalët nuk shkuan përtej barazimit 1-1. Në Gjenovë “verdhekuqtë” hodhën pas krahëve zhgënjimet e pësuara në kryeqytet nga dy skuadrat e qytetit të Torinos, e për rrjedhojë tashmë Lazio dhe Roma qëndrojnë ngjitur në tabelën e klasifikimit, respektivisht në vendin e tretë dhe të katërt, por sidoqoftë këtë herë më lart që ndron pikërisht ekipi i Simone Inzaghi-t që numëron plot 7 pikë më shumë në renditje.

Trajneri Paulo Fonseca do të vijojë të ketë probleme të mëdha me formacionin, për shkak të mungesave të shumta, sidoqoftë në formacion do të rikthehet nga pezullimi Aleksandar Kolarov, ndërsa në krahun tjetër Lacio do të ketë në fushë kapitenin Senad Lulic, që javën e kaluar ishte i skualifikuar. Këtë herë numrin më të madh të tifozëve do ta ketë Roma, që këtë radhë ka avantazhin e faktorit fushë në bazë të kalendarit, sidoqoftë në kryeqytet pritet një ndeshje e madhe, sidomos pas faktit që të dy ekipet zbresin në fushë pas eliminimeve të mesjavës në Kupën e Italisë nga Juventusi dhe Napoli.

Takimi i mbrëmjes në Serinë A do të luhet në Stadiumin San Paolo, ku Napoli do të presë në orën 20:45 kampionët në fuqi të Juventusit. Rivaliteti ndërmjet këtyre dy klubeve mbetet, por natyrisht gjërat tani janë shumë më ndryshe. 4 nga 8 edicionet e fundit të kampionatit italian “bardhezinjtë” kanë patur menjëherë poshtë vetes pikërisht futbollistët e klubit nga Campania, për më tepër edhe në dy sezonet e fundit ndonëse me diferencë Napoli u shpall nënkampion në Apenine. Me Gattuson telashet vazhdojnë, megjithëse për hir të së vërtetës trajneri kalabrez ka vështirësi të mëdha, për shkak të dëmtimeve dhe problemeve të shumta fizike që kanë patur gjatë kësaj periudhe një pjesë e mirë e lojtarëve. Në krahun tjetër pesë fitoret radhazi të “zonjës së vjetër” përkojnë edhe me formën e shkëlqyer që po kalon ylli i skuadrës Cristiano Ronaldo. Të dy ekipet në mesjavë siguruan kualifikimin për në fazën gjysmëfinale të Kupës së Italisë, por nëse ish-trajneri i “të kaltërve”Maurizio Sarri ka në dispozicion dy skuadra në krahun tjetër mbetet për t’u parë freskia fizike e formacionit të Gatuzos, si dhe formacioni që do të rreshtojë 42-vjecari kalabrez në fushë. Juventusi ka fituar tre përballjet e fundit mes tyre, por sidoqoftë në sfidën e fazës së parë ekipi napolitan nën drejtimin e Ancelotti-t rekuperoi plot tre gola disavantazh, për të dalë i humbur nga Piemonti pas një autogoli në fund të takimit, të shkaktuar nga qendërmbrojtësi Koulibaly.

Top Channel