Ushqimet që ngacmojnë stomakun, nxisin refluksin acid dhe rrisin rrezikun për kancer

Refluksi acid është një nga çrregullimet më të zakonshme të aparatit tretës.

Lifestyle

18/02/2020 08:59

Simptomat e tij përfshijnë urthin dhe kthimin e ushqimit nga stomaku drejt grykës, duke lënë një shije të hidhur në gojë. Inflamacioni kronik që shkaktohet prej tij, mund të çojë drejt ezofagut Barrett, një gjendje parakancerogjene, që përfshin ndryshime në gypin e ezofagut.

Për të parandaluar adenokarcinomën, llojin më të shpeshtë të kancerit të ezofagut në Shtetet e Bashkuara, kjo rrjedhë ngjarjesh duhet ndaluar, çka do të thotë se fillimisht duhet të shmangim refluksin acid.

Gjatë dy dekadave të fundit, rreth 45 studime janë marrë me lidhjen midis dietës, ezofagut Barrett dhe kancerit të ezofagut. Nga këto, rezultoi se konsumimi i mishit dhe ushqimeve të pasura me yndyrë, kishin një lidhje të fortë me kancerin. Interesant ishte fakti se lloje të ndryshme mishi lidheshin me kancer në vende të ndryshme të aparatit tretës. Mishi i kuq lidhej ngushtë me kancerin e ezofagut, ndërsa ai i pulës me kancerin në zonën e kufirit të ezofagut me stomakun.

Si është e mundur kjo? Pesë minuta pasi keni ngrënë ndonjë ushqim me yndyrë, muskuli unazor që ndodhet në fillim të stomakut dhe që luan rolin e një valvule që mban ushqimin në stomak, shtendoset, duke lejuar acidet të ngjiten drejt ezofagut. Për shembull, në një studim të bërë me disa vullnetarë, pasi konsumuan një vakt të rëndë me yndyra (salsiçe, vezë dhe djathë nga “McDonald’s”) patën më shumë gromësira acide në ezofag, se ata që kishin konsumuar një vakt me më pak yndyrë (kek nga “McDonald’s”). Një nga arsyet mund të ketë qenë çlirimi i hormonit kolecistokinin, i cili pasi nxitet nga mishi dhe vezët, shtendos unazën e stomakut. Kjo na ndihmon të shpjegojmë arsyen përse ata që hanë mish, kanë dy herë më shumë mundësi të kenë refluks acid dhe inflamacion të ezofagut, në krahasim me vegjetarianët.

Edhe duke përjashtuar rrezikun e kancerit, refluksi acid mund të shkaktojë dhimbje, gjakderdhje dhe ngushtim të ezofagut, gjë që vështirëson gëlltitjen. Për medikamentet që qetësojnë urthin dhe refluksin acid, duke ulur sasinë e aciditetit në stomak, shpenzohen miliarda dollarë, por këto medikamente mund të shkaktojnë mangësi ushqyese dhe rrisin rrezikun e pneumonisë, infeksioneve intestinale dhe dobësimit të kockave. Ndoshta strategjia më e mirë, mund të jetë ajo e ruajtjes së normave të aciditetit duke minimizuar sasinë e ushqimeve që nuk e lejojnë acidin të largohet. Mbrojtja nga ushqimet bimore, nuk mund të bazohet vetëm te reduktimi i tyre, por duke e përqendruar dietën rreth ushqimeve të pasura me antioksidues, mund të përgjysmoni mundësitë e prekjes nga kanceri i ezofagut.

Ushqimet që rekomandohen të konsumohen për të shmangur kancerin në zonën e kufirit të ezofagut me stomakun, janë perimet me gjethe të kuqërremta, portokalli dhe të gjelbra, frutat e pyllit, mollët dhe qitrot, edhe pse në përgjithësi, të gjitha ushqimet me bazë bimore të papërpunuara janë të pasura me fibra.

Informacioni është shkëputur nga libri : Ushqimet që shpëtojnë jetë, sjellë në shqip nga BOTIMET LIVING