Koncerti i Agron Shujakut e Ledian Shalës, mbrëmë solli perlat e kompozitorëve botërorë

27 Shkurt, 2020 - 11:53 am


Qendrim Badalli

Përvoja e Agron Shujakut si dhe entuziazmi dhe talenti prej të riut të Ledian Shalës, u gërshetuan mbrëmë në koncertin duo pianistik të dhënë në Sallën e Kuqe në Prishtinë, shkruan KultPlus.com

Një numër i konsideruar i të pranishmëve, disa prej të cilëve kishin marrë me vete edhe fëmijët ngase aty po luante edhe një bashkëmoshatar i tyre, dëgjuan interpretimin e Shujakut dhe Shalës të cilët luajtën veprat më të popullarizuara të Mozart, Ravel, Brahms dhe Kusuma për rreth një orë.

Agron Shujaku, në një intervistë për KultPlus, ka folur rreth përgatitjeve për koncertin si dhe për arsyen se pse ky koncert u realizua në Prishtinë.

“Për këtë koncert kemi pasur përgatitje katër-pesë muaj intensiv. Unë e kam realizuar këtë program edhe më herët por me një pianist tjetër, dhe atëherë nuk kishim mundësi ta realizonim në Prishtinë, prandaj këtë herë e kam pa të nevojshme ta kurorëzojmë në Prishtinë”.

Ai, tutje ka treguar edhe sfidat e muzikës klasike dhe përgjithësisht botës së artit në Kosovë.

“Problemi më i madh në Kosovë është te mungesa e sallave, mungesa e mbështetjes për aktivitetet të tilla, sepse ne e dimë që muzika klasike ka nevojë për përkrahje të vazhdueshme.”

Shujaku, e ka përmbyllur prononcimin duke dhënë një vlerësim për publikun aty si dhe duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së publikut profesional në këto aktivitete.

“Mbështetja e publikut është gjithmonë e nevojshme, sidomos e atij profesional sepse ai e bënë barometrin të performancës dhe është njëfarë rregullatori joformal i interpretimeve skenike”.
 
Ky koncert ka përfunduar nën duartrokitjet e forta si shenje vlerësimi për performancën e tyre./ KultPlus.com

Të ngjajshme