Kryeministri Edi Rama ka folur për situatën në vend, pas panikut që ka përfshirë qytetarët për shkak të përhapjes së koronavirusit.


Në një mbledhje me ekipet e ekspertëve, Rama bëri me dije edhe masat e marra për të përballuar situatën.


Ai njoftoi gjithashtu se shtëpia e pushimit e Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës do kthehet në karantinë. Rama shtoi se është siguruar që ajo i plotëson kushtet për të qenë karantinë për situatën në rast se koronavirusi përhapet edhe në vendin tonë.


“Është një situatë që ka zënë në befasi gjithë botën, një virus përhapja e të cilit për fat të keq dhe kjo është e pashmangshme dhe problematike po shoqërohet me atë që OBSH e quan infodeminë, lajmet e pakonfirmuara, të rreme, që marrin dhenë dhe influencojnë mbi qëndrimin dhe sjelljen e konsumatorëve të lajmeve.


Është për të ardhur keq që ndërkohë që bëhet politik e ka debat, askund tjetër nuk ndodh që palë të caktuara politike e individë me mandat politik të bëjnë ato që kanë bërë gjatë këtyre ditëve duke u përpjekur për të përhapur panik e për të dezinformuar.


Askund nuk bëhet që karantinat të ndërtohen në male apo pyje, apo larg zonave të banuara, kjo është një shpikje në vazhdën e ushqyerjes së infodemisë.


Kemi përcaktuar shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes në zonën e Durrësit ku me OBSH është konstatar se i përmbush standardet”, deklaroi Rama.