Bëhet fjalë për një shumë prej 700 milionë euro me afat të kthimit pas gjashtë vjetësh dhe me kamatë prej 3.6 për qind. Vetëm sivjet do të zhytemi në borxh prej afër 1.7 miliardë euro
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 29 maj – Qeveria do të hyjë në borxh të ri për të mbuluar deficitin apo minusin në arkën e shtetit për vitin 2020 dhe vitin 2021, si dhe harxhimet në rritjet e shkaktuara nga kriza e koronavirusit. Bëhet fjalë për një shumë prej 700 milionë euro me afat të kthimit pas gjashtë vjetësh dhe me kamatë prej 3.6 për qind. Nga Ministria e Financave thonë se interesimi i investitorëve të huaj për eurobondin vendor ka qenë pesë më e madhe në raport me shumën e kërkuar. Sipas këtij dikasteri, këto të dhëna së bashku me shkallën e volitshme të kamatës, udhëzojnë për pozicionimin e mirë tek investitorët e huaj dhe besimin e tyre ndaj shtetit. Kjo i detyrohet edhe stabilitetit makroekonomik dhe financiar, si dhe angazhimit dhe suksesit në integrimin euroatlantik, shtojnë më tej nga dikasteri i financave.
“Kjo është kamata e dytë më e ulët pas lëshimit të eurobondit në vitin 2018, që tregon edhe besimin e investitorëve në ekonominë e Maqedonisë dhe politikat që udhëhiqen, në kushte të krizës së shkaktuar nga Kovid-19, si kriza më e madhe pas depresionit të madh. Ose, në një kohë kur të gjithë ekonomitë po dalin në tregjet ndërkombëtare financiare që të sigurojnë financimin e nevojave që dalin nga kriza”, thonë nga Ministria e Financave. Nga Qendra për Analiza Ekonomike thonë se hyrja në borxh përmes eurobondit mundëson më shumë përfitime lidhur me stabilitetin e valutës apo të hollat e një shteti, kamatës fikse afatgjate e kështu me radhë. “Në periudhën e ardhshme mund të presim të rritet nevoja për financime duke marrë parasysh edhe borxhet që vijnë për pagesë në vitet e ardhshme. Njëherësh, norma e interesit të eurobondit varet nga pritjet e investitorëve në raport me rrezikun që ato e ndërmarrin dhe kthimin e investimit. Për një shtet, pritjet për rrezik më të ulët nënkuptojnë edhe stabilitet, sinjale pozitive të bankës qendrore, nivelin e korrupsionit, gjendjen ekonomike, planet për zhvillimin e shtetit…”, thonë nga Qendra për Analiza Ekonomike.
Në ndërkohë, me lëshimin e eurobondit të shtatë me vlerë prej 700 milionë euro dhe huat e Fondit Monetar Ndërkombëtar prej 176 milionë euro, të Bankës Botërore prej 140 milionë euro dhe Bashkimit Evropian prej 160 milionë euro që po negociohen – pritet të përmbyllet korniza financiare për vitin 2020, apo për mbulimin e minusit prej 6.8 për qind në arkën e shtetit nga financimet e jashtme. Me fjalë tjera, sivjet krahas borxhit të jashtëm prej afër 1.2 miliardë euro dhe hyrjes në borxh nga bankat vendore përmes kredive dhe letrave më vlerë prej afër 500 milionë euro, gjithsej do të zhytemi sivjet në borxh prej afër 1.7 miliardë euro. Mjetet ndërkohë do të përdoren ndër të tjerash edhe për kthimin e borxheve të vjetra prej afër 550 milion euro. (koha.mk)