Bizneset vazhdojnë ta mbushin buxhetin, por Ligji për TVSH-në po konsiderohet i dëmshëm për ta

Bizneset vazhdojnë ta mbushin buxhetin, por Ligji për TVSH-në po konsiderohet i dëmshëm për ta

Ekonomia June 02, 2020 - 14:09

Buxheti i Republikës së Kosovë vazhdon të varet nga tatimet në produkte. Të hyrat e përgjithshme të Qeverisë vitin e kaluar, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ishin mbi 2 miliardë e 200 milionë euro, shkruan “Zeri.info”.

Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte ose në TVSH, që paraqesin 64% të totalit të të hyrave.

Ndërkohë, gati 1/3 e buxhetit të grumbulluar, sipas këtyre të dhënave, është shpenzuar në mëditje, ose 29%, në kontribute sociale dhe në përfitime 23%, ndërsa pjesa tjetër shpenzime të shpërndara në disa kategori të tjera.

Duke i krahasuar me të hyrat e vitit 2018, të hyrat në arkën e shtetit për vitin e kaluar kanë shënuar ngritje për 150 milionë euro.

Ngritja e të hyrave buxhetore, sipas Arian Zekës, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka të bëjë me vlerën e shtuar monetare të importeve përgjatë vitit të kaluar, duke i krahasuar me vitin paraprak.

“Investimet e ardhshme në kapacitetet industriale vendore do të ndikonin në plotësimin më të madh të nevojave të tregut të brendshëm dhe rrjedhimisht edhe në uljen e importeve”, deklaron ai për “Zërin”.

Qeveria e kaluar pati planifikuar që TVSH-ja të zbatohet pas plasimit të produkteve në treg.

Ndërsa përmend Ligjin për Tatim mbi Vlerën e Shtuar, Zeka për “Zërin” thotë se ligji aktual po e vështirëson të bërit biznes në Kosovë.

“Përqindja aq e lartë e TVSH-së së mbledhur në kufi reflekton edhe deficitin tregtar të vendit. Qeveria e kaluar ka planifikuar ndryshimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, e rrjedhimisht edhe fillimin e mbledhjes së brendshme së TVSH-së, që do të thotë vetëm pas plasimit të mallit në treg, për dallim prej mbledhjes aktuale në kufi, e cila vështirëson të bërit biznes për shkak të ndikimit të menjëhershëm në rrjedhën e parasë së gatshme të bizneseve. Që kjo të ndodhë në praktikë, pas ndryshimit të ligjit, nevojitet edhe fuqizimi i kapaciteteve të brendshme tatim-mbledhëse”, ka përfunduar Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i OEAK-ut.