Shëngjergj, 100 vjet nga
shkolla e parë shqipe

Shëngjergj, 100 vjet nga<br />shkolla e parë shqipe
Shëngjergjasit këtë vit janë ndjerë më shumë se krenarë. Dhe kanë arsye. Vetëm pak ditë më parë, në muajin dhjetor, ky fshat festoi 100 vjetorin e shkollës së parë shqipe legale të hapur në rrethin e Tiranës. Dashuria e patriotëve të kësaj zone për gjuhën amtare nuk u zbeh para asgjëje, por shërbeu si pararojë që shkolla shqipe të hapej më pas edhe në zona të tjera të Tiranës. Në 100-vjetorin e shkollës së parë shqipe për Tiranën, ministrrja e Arsimit, Lindita Nikolla, na dhe edhe një tjetër lajm të mirë. Ajo do u bashkohet nismës së disa biznesmenëve të zonës, dhe shkolla e parë shqipe do të kthehet në muze.
 
Pak histori
Shëngjergji më parë ka mbajtur emrin “Krahina e Tomadhesë”. Emri Tomadhe është trajtuar nga gjuhëtarë e studiues shqiptarë dhe të huaj. Këtë emër gjuhëtari i shquar Eqerem Çabej,e përmend si fjalë “zë e kahershme” shqipe, kurse historiani Gjon Muzaka, e përmend si krahinë. Prof. Dhimitër Shuteriqi e përmend si vendbanim që do të thotë “Dheu i Tomës”. Ai e lidh këtë emër me një stërgjysh të Vladan Aranitit që quhej Toma, por mund të jetë edhe toka e Deas ose Tama. “Faqja e dheut të saj ka një bukuri mahnitëse të tre shenjtëve: Shëngjergj, Shënmri e Shëngjin, tre fshatrat e kësaj krahine”. Kurse Dhimitër Pilika dhe historia italian Biemi, thotë se, me fjalën Tamadhe duhet të kuptojmë “Të mëdhenjtë” dhe emri i vërtetë duhet të jetë “Krahina e të mëdhenjve”. Këtu e ka fjalën për Aranitët. Autorë të tjera japin mendimin si vendbanime të lashta ilire në shek III-IV (prof. Kristo Frashëri). Më vonë mori emrin Krahina e Shëngjergjit.
 
Nismëtarët e parë

Nga fundi i shekullit XIX disa djem të fshatit u shkolluan nëpër vende të perandorisë Osmane për dituri të përgjithshme dhe teologji. Të tillë ishin Mustafa Shtëpani, Rakip Disha, Hafiz Beqir Shaba, Hoxhë Jonuz Toqi, Ferik Altafa, etj, të cilët ndonëse me petkun e fesë, kanë përkrahur lëvizjet atdhetare dhe kanë propoganduar për shkollën shqipe në Shëngjergj.

Më vonë shtysë i dhanë edhe patriotë të tjerë si Ali Shtëpani, Osman Distafa, Islam Keta, Muharrem Lorja, Ismail Rrëceku, Abdi Ceni, Gani Hala, Shaban Balla, Begtash Cani e shumë të tjerë. Përpjekjet për arsimin në Shëngjergj kanë ekzistuar edhe para vitit 1911. Të frymëzuar nga idealet e Lidhjes së Prizrenit, dega e Elbasanit, me anë e përfaqësuesve të tyre u lidhën me krahinën e Shëngjergjit për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe.

Sipas një letre të Kristoforishit më 1871 Shëngjergji priti me shumë dashuri Abetaren e tij.
Pas shpalljes së Kushtetutës Turke (Hyrjetit) në korrik të 1908, patriotët nisën të organizohen në klube e të hapnin shkolla shqipe në qytete e fshatra. Në këtë periudhë, nga viti 1911, fshatari nga Shëngjergji, patrioti Xhaferr Shtëpani, që mbante lidhje mne pionerët e gjuhës shqipe në atë periudhë, si Aqif Pashë Elbasani, Abdi Murat Toptani, u frymëzua prej tyre për përhapjen e të mësuarit shqip dhe hapjen e shkollës shqipe.

Me ndihmën e miqve të tij ai solli në Shëngjergj mësuesin Ramiz Hatibi, gjoja si mësues mejtepi, ku ditën shërbente si mësues i gjuhës fetare, ndërsa natën u mësonte nxënësve shqip. Ai punoi në Shëngjergj në vitet 1910-1911. Në vitin 1912 shkoi në Elbasan për kualifikim dhe u rikthye sërish më 1913, vit në të cilin shkolla u hap legalisht. Gjatë periudhës së kualifikimit ai u zëvendësua nga nga Cen Bylyku.

Mësuesi Ramiz Hatibi në kujtimet e tij shkruan “Lëvizja Kombëtare në Shëngjergj, si në shumë vise të Shqipërisë ka filluar me përpjekjet e para për çeljen e një shkolle në gjuhën amtare. Xhaferr Shtëpani, me anën e një mikut të vet, Shefqet Hatibit, hynë në marrëveshje me mua, e kështu unë u bëra mësues në Shëngjergj me 800 grosh në muaj e ushqim. Ai më dha një dhomë me derrasa të cilën e përshtata për mësim”.   
 
Shkolla e parë legale në Tiranë
Me shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 përpjekjet për hapjen e shkollës shqipe në Shëngjergj ecën mbarë. Në nëntor 1913 erdhi miratimi ligjor nga qeveria e Vlorës për hapjen e shkollës së parë fillore. Mësues u emërua zyrtarisht Ramiz Hatibi. Atë vit e vazhduan shkollën 15 nxënës, nga të cilët 5 ishin vajza.
Për veprimtari patritike, Esat Pashë Toptani e internoi, Xhaferr Shtëpanin në Itali në vitin 1915, ku edhe ndërroi jetë në vitin 1917. Me rastin e 50 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë më 1963 ai u dekorua me “Urdhrin e Punës të Klasit III” për veprimtari patriotike.

Deri në vitin 1917-1918 kjo shkollë punoi me sistem tre klasësh. Më 1927-1928 mësues vendas u emërua ish nxënësi i kësaj shkolle Abdulla Keta.
Më vonë shkolla u transferua në shtëpinë e Riza Zinës dhe Musa Shokut. Kushtet qenë shumë të vështira. Kontribut dha Hoxhë Akush Duka, i cili duke parë kushtet e vështira u propozoi mësuesve që shkolla të transferohej në lokalin e xhamisë. U boshatisën dy dhoma dhe aty vazhdoi mësimi deri sa u ndërtua shkolla e re.
Gjatë viteve 1913-1972 e mbaruan këtë shkollë 1162 nxënës.

Pas çlirimit të vendit, në vitet 1947-1952 në qarkun e Tiranës, ish nxënës të kësaj shkolle kanë drejtuar sektorë me rëndësi në arsim, shëndetësi, drejtësi, etj. Pas çlirimit të vendit, zhvillimi i arsimit mori përmasa të mëdha. Në të 12 fshatrat të zonës kishte shkola fillore dhe 7-vjeçare, arsimi fillor dhe 7-vjeçar u bë i detyrueshëm. Në vitet 1956-1957 në fshat nuk kishte asnjë analfabet burrë apo grua, nën moshën 40 vjeç.

Në dy universitete të vendit, “Aleksandër Xhuvani” Të Durrësit dhe atë “Aleksandër Moisiu të Durrësit, rektorët janë shëngjergjas. Liman Varoshi dhe Mit’hat Mema.
Kjo tregon se paraardhësit tanë, pavarësisht se nuk kishin arsmimin e duhur qenë të ditur dhe shumë komunikues me njëri-tjetrin, tolerantë në zgjidhjen e problemeve të fshatit. Nga këto cilësi dhe veti duhet të marrim shembull.  

Shoqata kulturore dhe Atdhetare
“Gavril Dara i Ri”



Shkrimi u publikua sot (12.01.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale