EKSKLUZIVE/ “Nuk është momenti për të vendosur masa”, Halili pas mbledhjes me skuadrën: Ja çfarë bisedova me Egbonë (E PLOTË)

Jul 5, 2020 | 9:29
SHPËRNDAJE

Refik Halili zbut tonet me lojtarët dhe deklaron se brenda skuadrës së tij nuk ka tradhtarë. Një ditë pas sfidës në Ballsh, presidenti bardheblu thotë se lojtarët e tij nuk janë të përfshirë dhe janë të hapur ndaj hetimit që do të bëjë FSHF-ja. Për “Panorama Sport”, Halili thotë se mendjen Tirana e ka te Kukësi, ndërsa pranon se skuadra do të kualifikohet në finalen e Kupës së Shqipërisë.refik halili

Zoti Halili, mbledhja që deklaruat nuk u zhvillua pas ndeshjes me Bylisin, por sot (dje) në ambientet e “Skënder Halilit”…

Është e vërtetë. Ishte një takim për t’u qartësuar me ekipin. Duhet të mbajmë grupin në ujërat që na takonte të rrinim. Ose më saktë ne duhet të mbajmë stekën lart. Kemi përpara një ndeshje shumë të rëndësishme kundër Kukësit. Sido që të jetë, ne duhet të fitojmë kundër kundërshtarit direkt.

Pse në Ballsh nuk u pa asnjëherë Tirana e Emanuel Egbosë që vetëm fiton në fushë?

Të them të vërtetën, si ne dhe stafi ishim të përqendruar te kampionati dhe fuqitë i kemi përqendruar atje. Neve na intereson kampionati për të hedhur një hap përfundimtar. Duhet të fitojmë që të shpallemi kampionë që në sfidën me Kukësin dhe Partizanin. Besoj se me titullin e mbyllim në këto 180 minuta.

Kjo do të thotë që Tirana pas humbjes në Ballsh ka hequr dorë nga Kupa e Shqipërisë?

Absolutisht jo. Ne nuk kemi hequr dorë nga Kupa e Shqipërisë. Ne nuk luajtëm me formacionin më të mirë të mundshëm. Të jem i sinqertë, kam parë në Ballsh që ndeshja u ndërpre disa herë. Ishte shumë vapë gjatë atyre 90 minutave. Fusha e Ballshit nuk është e lehtë edhe si terren, por edhe për të luajtur futboll. Pavarësisht se çfarë flitet, Bylisi është një skuadër që dashje pa dashje atje të gjithë e kanë pasur të vështirë. Ne do të vazhdojmë përpara.refik halili

Akuzat janë konkrete dhe shumë të qarta, teksa federata ka nisur një hetim. A ju shqetëson kjo?

Për sa u përket çështjeve të tjera si, qysh, tek, ne jemi të hapur dhe të bindur. Unë kam besim se në skuadrën time nuk ka hyrë gjë brenda. Nuk  kam tradhtarë. Në skuadër nuk janë afruar para për ndeshjen apo lojtarë të caktuar të kenë marrë para. Për këtë jam i bindur. Nëse ka pasur siç thotë kompania dhe jam i prirë t’i besoj kompanisë, do të dënohet. Nëse ka një njeri që ka marrë para, nga unë i pari, jemi të gatshëm të përballemi me drejtësinë.

Ju thatë që do të ketë masa. Pati ndonjë masë për këtë çështje?

Është momenti që nuk mund të vësh masa. Kjo e fut në presion ekipin. Diskutuam gjatë. Për shembull, Genti duhet të pushonte, sepse ndeshja është e rëndësisë së veçantë. Edhe dikush tjetër. Batha e Doka luajtën deri në fund. Nuk është momenti i masave, është momenti për të mbajtur ekipin në shina. U thashë që në ndeshjen me Kukësin të tregojmë nëse jemi të zotë t’i mundim për të treguar që jemi më të mirët. Thjesht për të qetësuar ekipin.
Egbo
Ju pamë që qëndruat gjatë me Egbonë dhe Xhafën në fund të takimit. Për çfarë diskutuat?

Për këto gjëra. Për shembull përse ne nuk luajmë me më të mirët, por me rezervat. Trajneri më sqaroi lojtar më lojtar se çfarë kishin dhe përse nuk luajtën në Ballsh.

Do të kualifikoheni në finalen e Kupës së Shqipërisë?

Për sa i përket sfidës së dytë gjysmëfinale, ne kemi shumë shanse për t’u kualifikuar. Ndoshta është mbyllur kampionati deri në atë moment dhe të gjithë do të jemi të fokusuar te Kupa. Jam shumë i bindur që luajmë finalen e radhës në këtë kompeticion.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura