Pioli luan gjithçka për gjithçka: Mund të ikim, por po japim 110%!

5 Korrik 2020
10:36
Eraldo Harlicaj
back button

Milani arriti një fitore të madhe në ndeshjen kundër Lazios me rezultatin 0-3 në transfertë. “Djalli” la dy pikë me SPAL, por mori një fitore të artë me ekipin lacial. Tekniku Stefano Pioli foli pas ndeshjes për DAZN.

“Ekipi luajti mirë dhe jemi të kënaqur me fitoren. Me këtë kalendar të ngjeshur, tani mendja jonë është te Juventusi. E dimë pozicionin tonë në renditje dhe do vazhdojmë të shtyjmë për t’u ngjitur. Kemi shpenzuar shumë energji kundër Lazios, por mora përgjigje pozitive nga lojtarët dhe kjo më ndihmon të bëj zgjedhjet e mia për ndeshjen e radhës. Është ndeshja e katërt për ne kundër Juventusit, Javët e fundit janë rritur shumë, por e njëjta gjë ka ndodhur edhe me ne”.

Europa – “Me të vërtetë punojnë mirë në Milano. Gjithmonë e kam thënë se kam një grup me lojtarë të përgjegjshëm, të cilët e dinë rëndësinë e fanellës që veshin. Nuk e di se çfarë do të ndodhë me të ardhmen tonë, me të ardhmen time, por jemi të përqendruar që në fund ta rikthejmë Milanin në Europa League. Në Champions nuk futemi dot tani, por Milani është një klub prestigjioz dhe duhet të jetë në kompeticionet europiane.  Lojtarët po japin 110 për qind, madje edhe ata futbollistë që në fund të sezonit mund të largohen. Janë të vendosur të tregojnë se janë akoma lojtarë të fortë dhe japin më të mirën e tyre për Milanin”.

Ibrahimovic – “Ibra nuk i ka 90 minuta në këmbë, por është përmirësuar në krahasim me ndeshjen e mesjavës kundër SPAL. Rebic kishte nevojë për pak pushim. Ibra na ka mundësuar rritjen në aspektin e mentalitetit, cilësisë dhe teknikës. Është kënaqësi të punosh me të dhe të shohësh se çfarë ai bën me shokët e skuadrës. Tani mbetet edhe një muaj deri në mbyllje të sezonit dhe duhet të vazhdojmë të ecim përpara”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit