Konfindustria jep alarmin se borxhi publik në Shqipëri do të tejkalojë niveline 86% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke u rritur në 19 % në krahasim me vitin e kaluar.


Në një deklaratë për median, kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku shprehet se kjo do të përbëjë  një rrezik serioz për qëndrueshmërinë financiare dhe zhvillimin ekonomik të vendit në afatgjatë.


“Vlerësimi i mësipërm është mbështetur në përfundimet e analizës të qëndrueshmërisë makroekonomike të vendit për 6 mujorin e parë të vitit 2020 të kryer nga Qendra e Studimeve të Konfindustrisë. Shkaqet kryesore të rritjes së fortë të peshës së borxhit publik në vitin 2020 janë përkatësisht: – rënia e pritshme prej të paktën 9% e PPB krahësimisht vitit 2019 si pasojë e masave shtrënguese kundër Covid 19, – emetimi i eurobondit 650 milion euro, – detyrimet e papaguara ndaj të tretëve në shumën e të paktën 600 milion euro të raportuara zyrtarisht. Borxhi publik i raportuar në vitin 2019 është afër 9 miliardë euro me vlerë të pranuar 67% të PPB”, thuhet në reagimin për median.


Qendra e Studimeve të Konfindustrisë vlerëson, se në përfundimin e mësipërm nuk janë përfshirë shumat prej – 2.2 miliard $ të kontratave PPP të nënshkruara deri tani, – kreditë e parashikuara për përballimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019, – detyrimet e shtetit ndaj penalizimit në gjykatat ndërkombëtare si në rastin Becchetti në vlerën e mbi 140 milion euro, etj.


Sipas Buxhukut, në rast të përfshirjes së zërave të mësipërm borxhi publik real i Shqipërisë rrezikon të tejkalojë nivelin 100% të PPB në fund të vitit 2020.