Ekstremet e klimës: Cilat janë fatkeqësitë natyrore që godasin më shpesh vendin tonë?

5 Korrik 2020, 12:35Sociale TEMA

Parashikimet klimatike afatgjata projektojnë për Shqipërinë një rritje të temperaturës mesatare vjetore me 5°C dhe pakësim të reshjeve me 15% deri në fund të këtij shekulli. Por ajo çfarë është më e rëndësishme, këto parashikime projektojnë më shumë ngjarje të motit ekstrem në të ardhmen që do të thotë përmbytje më të shpeshta, më shumë periudha thatësire dhe valë nxehtësie.

Rikujtojmë se trajtimi i çështjeve të ekstremeve klimatike në territorin e Shqipërisë ka në fokus fatkeqësitë natyrore më të shpeshta dhe me koston më të lartë për shqiptarët. Sigurisht që kostoja më e lartë e një fatkeqësie natyrore është humbja e jetës njerëzore, por në kushtet e një ekonomie të dobët, është shumë e rëndësishme edhe mbrojtja e pasurisë dhe ekonomisë së një vendi. Fatkeqësitë natyrore që godasin më shpesh Shqipërinë janë tërmetet të cilat mbajnë 18% të rasteve me fatkeqësi natyrore, por janë përmbytjet që zënë 2-fishin e peshës. Janë fatkeqësitë natyrore me origjinë hidro-meteorologjike, si reshje intensive, përmbytje, thatësira, valë nxehtësie dhe zjarre, të cilat rrjedhin prej ndryshimeve klimatike dhe përbëjnë mbi 60% të të gjitha rasteve të fatkeqësive natyrore në territorin e Shqipërisë.

Përmbytjet njihen si fatkeqësia natyrore më “popullore” në të gjitha vendet Mesdhetare, edhe Shqipëria përballet të paktën 1 herë në vit me përmbytje të shkallës lokale por mjaft shpesh, përmbytjet zaptojnë disa qarqe njëherësh duke paralizuar për disa ditë apo edhe javë, aktivitetin njerëzor dhe ekonomik në zonat e përmbytura. Dëmet që përmbytjet kanë shënuar në humbje jetësh njerëzore, fatmirësisht për Shqipërinë kanë qene të pakta por dëmet në ekonomi, çdo vit e më tepër prodhojnë fatura të larta financiare për familjet, bizneset dhe buxhetin e shtetit.

Korriku sapo ka nisur dhe temperaturat e larta janë shkaktare të zjarreve në përgjithësi, veçanërisht të zjarreve në pyje dhe kullota. Klima e mesdhetare, së cilës i takon edhe Shqipëria, karakterizohet nga verë e gjatë dhe e nxehtë, me periudha të gjata thatësire dhe temperatura të larta. Pas vitit 2000, temperaturat e muajve të verës kanë regjistruar deri 40 gradë Celsius, madje ka edhe ditë kur temperaturat në zonat urbane e tejkalojnë këtë vlerë termike. Janë pikërisht këto ditë me temperatura të larta, të cilat bëhen shkaktare të zjarreve në masivet pyjore, fenomen i cili është kthyer në një rrezik të madh për jetën dhe pasurinë e popullatës por edhe në një shfarosësh të florës dhe faunës në shumë zona të Shqipërisë.

Nëse do i shtojmë zjarreve natyrore edhe numrin jo të vogël, të zjarrvënies së qëllimshme, dëmet bëhen të pallogaritshme për shkak të dëmtimit të zinxhirit prodhues nga agro-bujqësia në blegtori dhe në prishjen e ekuilibrave të ekosistemit. Në 2 dekadat e fundit numërohen qindra vatra zjarresh në pyje ku vlen të veçohet viti 2017 i cili ka regjistruar mbi 300 vatra zjarri në të gjithë vendin.

Si një vend me rrezik të lartë ndaj fatkeqësive natyrore, Shqipëria shpesh është gjunjëzuar përballë forcave të natyrës. Frekuenca e lartë e goditjeve të natyrës kërkon struktura të forta dhe buxhete të larta për menaxhimin e fatkeqësive të natyrës. Deri në vitin 2019, fatkeqësitë natyrore janë menaxhuar nga Drejtoria e Emergjencave Civile, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, të ndihmuara nga Forcat e Armatosura ndërsa aktualisht, është krijuar Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile pranë Ministrisë së Mbrojtjes, e cila bën politikat e reduktimit të riskut dhe njëkohësisht  është koordinatore e mbrojties civile.

Kemi parë fakte të ndryshimeve klimatike, kemi analizuar koston e fatkeqësive natyrore DHE do të jemi sërish, të shtunën tjetër me çështje të klimës, mjedisit dhe ujit. Nga Tanja Porja, A2 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje