Dëshmia/ Ekzekutuan taksistin për “nderin” e nënës e motrës, një nga vëllezërit ishte…

Aug 7, 2020 | 8:29
SHPËRNDAJE

Shumë pikëpyetje që u ngritën në lidhje me vrasjen e taksistit 71-vjeçar pasditen e së hënës në Fushë-Prezë, morën përgjigje dje pas arrestimit të dy vëllezërve, si autorë të dyshuar të ngjarjes. Dukej se zbardhja e motiveve të kësaj ngjarjeje nuk do bëhej kurrë në rast se nuk do të arrestoheshin të dyshuarit, pasi askush nuk kishte ndonjë dyshim konkret për arsyet pse u ekzekutua Abdulla Budlla.

vellezerit shera abdulla sajmir arsil

Burime nga grupi hetimor thanë se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një konflikti që dy vëllezërit e arrestuar, Sajmir dhe Arsil Shera, kanë pasur me 71-vjeçarin, pasi dyshonin se u kishte ngacmuar nënën e motrën. Sipas vëllezërve Shera, i moshuari kryente veprime të pahijshme ndaj tyre në kohën kur ata nuk ishin prezentë.

“U përpoqëm që ta zgjidhnim konfliktin, i kishim kërkuar të hiqte dorë. Pak kohë më parë ishim konfliktuar fizikisht me të, duke dashur ta bënim të arsyetonte, të mos shkonte më afër shtëpisë sonë, por ai nuk hoqi dorë”, mësohet se kanë treguar vëllezërit e dyshuar.

Të njëjtat burime thanë se ata kanë përdorur një makinë, që e kishin marrë me qira për të realizuar vrasjen.

OPERACIONI

Policia e Tiranës tha dje se kishte finalizuar operacionin e koduar “Brothers”, duke vënë në pranga autorët e dyshuar të vrasjes së Abdulla Budllës, pasditen e së hënës në Fushë-Prezë.

Operacioni u krye nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale.

“Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 03.08.2020, në rrugën nacionale Fushë-Krujë – Vorë, në kryqëzimin e rrugës së Rinasit, ku u vra me armë zjarri 71-vjeçari A. B. Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 vëllezër, të dyshuar si autorë të vrasjes. Gjatë operacionit u vu në pranga edhe një 29-vjeçar, pasi gjatë kontrollit iu gjetën armë dhe drogë”, tha zyrtarisht Policia.

Më tej sqaroi se si rezultat i një pune të mirorganizuar dhe të pandërprerë për zbulimin, dokumentimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, falë provave të siguruara, u zhvillua operacioni Policor “Brothers”.

Në kuadër të këtij operacioni, ku morën pjesë edhe oficerët e Forcës së Posaçme Operacionale, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe ndalimi i autorëve të dyshuar, konkretisht i dy vëllezërve Sajmir Shera, 32 vjeç, i dënuar më parë dhe Arsil Shera, 20 vjeç, banues në Rinas, Krujë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Gjatë operacionit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe mjetin që kanë përdorur dy vëllezërit për të kryer krimin.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura