Nasim Haradinaj thotë në Speciale se nuk e njeh këtë gjykatë

Nasim Haradinaj sot në Gjykatën Speciale në Hagë deklaroi se nuk e njeh këtë gjykatë dhe s’ka për ta njohur atë përkundër mandatit që i ka dhënë Kuvendi i Kosovës.

“Nuk e kam njohtë këtë gjykatë, nuk e njoh dhe s’kam me njoft përkundrazi mandatit 5 vjeçar që ua ka dhanë parlamenti jem dhe tash jeni me afat të skaduar pas 2 gushtit” deklaroi Nasim Haradinaj.

Kjo deklaratë erdhi pasi nga gjykatësi i procedurës paraprake Nikolas Giu, iu bë e qartë se kjo është një seancë për ta informuar atë rreth të drejtave të tij, jo për të diskutuar për thelbin e çështjes për të cilën ai dyshohet.

Por i dyshuari Nasim Haradinaj, për mos njohjen e kësaj gjykatë vazhdoi duke thënë se “ kjo ka qenë çdo herë publike, këtë e themi qe 15 vjet, keni 150 mijë nënshkrime nga popullata të dërguara në Bruksel që jemi kundër kësaj gjykate”.

Tutje Haradinaj deklaroi se “faqezinjtë tanë, deputetët tanë për poste të veta, rroga të veta e kanë sjellë popullin këtu që sot ju me arrestu, me thy Kushtetutën tonë, me ja vjedhë qytetarin edhe pas skadimit të afatit të juj”.

“Prandaj e ndjej vetën që jam padrejtësisht këtu, thjesht keni thy Kushtetutën e vendit tim, keni thy çdo ligj, keni thy të drejtën e mendimit të lirë, edhe dënomëni 1 milion vjet, 500 milion vjet edhe smund të ma hekni mendimin mu edhe 500 mijë njerëzve për gjykatën” deklaroi Nasim Haradinaj.

Nasim Haradinaj në fund deklaroi se “unë për mendimet e lira jam i dënuar në moshën 15 vjeçare nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit”.

Nënkryetari i OVL-UCK-së Nasim Haradinaj, sot u ul në bankën e të dyshuarit  në Gjykatën e Specializuar në Hagë.

Avokati i specializuar i Nasim Haradinaj, kontestoi juridiksionin e Gjykatës së Specializuar  lidhur me veprat penale qe dyshohet se i ka kryer Nasim Haradinaj.

Avokati i specializuar deklaroi se “ ky është një tribunal për krime luftë, ndaj klientit tim nuk ka akuza për krime lufte, andaj Gjykata Speciale nuk ka juridiksion për të zgjidhur këtë çështje”.

Haradinaj po dyshohet për  veprat penale frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të  fshehtësisë së procedurës penale.

Ndaj Haradinajt më 24 shtator 2020, ishte lëshuar fletarrest nga gjykatësi Nikolas Guilo.

Haradinaj u arrestuar më 25 shtator 2020, për tu dërguar në objektin e paraburgimit për tu paraqitur më pas në Gjykatën e Specializuar.

Sipas Prokurorisë së Specializuar, Nasim Haradinaj më 7,16 dhe 22 shtator 2020, ka dhënë konferencë për media ku ai ka shpërndarë informacion dhe dokumente konfidenciale jo publike në media lidhur me punën e zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Tutje thuhet se në këto tri konferenca, Haradinaj kishte dhënë emrat dhe të dhënat e dëshmitarëve të mundshëm, duke i frikësuar ata për të mos dhënë dëshmi.

Sipas Prokurorisë së Specializuar,  veprën peanle të hakmarrjes Nasim Haradinaj e ka kryer me mbajtjen e këtyre tri konferencave për media.