Situata po eskalon në kufirin Armeni- Azerbajxhan teksa pala e parë tashmë akuzon zyrtarisht Turqinë se ka ndërhyrë në luftë dhe ka sulmuar nga ajri.

Ministri i jashtëm armen deklaron se një F-16 turk ka qëlluar një avion ushtarak armen SU-25, në hapësirën ajrore të Armenisë dhe piloti tashmë ka vdekur.

Turqia ka dënuar menjëherë këtë deklaratë duke e mohuar kategorikisht por nga ana tjetër Erdogan ka mbështetur hapur Azerbajxhanin, por jo se do e mbështesë ushtarakisht. E njëjta situatë dhe tek Armenia, që e mbështet Rusia e cila ka dhe një bazë ushtarake aty.

Gjithë lufta tashmë po zhvillohet në territorin Nagorno-Karabakh mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, dhe prej tre ditësh janë vrarë 100 persona, prej të cilëve ushtarë e civilë.

Nagorno-Karabakh është një rajon në Azerbajxhan, por me shumicë etnike armene. Lufta ka filluar prej 13 shkurtit të 1988 teksa vazhdimisht janë bërë përpjekje që rajoni të kalojë nën administrimin e Armenisë. Pavarësisht armëpushimeve, situata eskalon me të njëjtat pretendime nga popullsia etnike armene në Nagorno-Karabakh.

Por tashmë mund të ketë një tjetër luftë, Turqi- Armeni, e cila nuk është e re, pasi i ka rrënjët që me gjenocidin ndaj armenëve nga Perandoria Osmane në vitet 1914-1923, të një popullsie prej 1,5 milionë banorësh, dhe deri në 3 mujorshin shtator-dhjetor 1920 kur u vendos dhe përfundimisht kufiri ‘modern’ mes Turqisë e Armenisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb