Rezultati brenda 15 minutave me testin SARS-CoV-2 Rapid Antigen (Roche Diagnostics)

Lajme

Rezultati brenda 15 minutave me testin SARS-CoV-2 Rapid Antigen (Roche Diagnostics)

Nga: Dr.med.Fatime Imeri Berisha Më: 23 tetor 2020 Në ora: 16:40
Foto ilustrim

Zëvendësim i RT-PCR për Covid-19:

Dr. Fatime Imeri Berisha është një eksperte e shquar, specialiste për Mikrobiologji, Imunologji, Hematologji, Kimi Klinike dhe Diagnostikë Molekulare në Cyrih. Ajo është bartëse e disa funksioneve në fushën që mbulon, në institucione shkencore me renome në Cyrih dhe Bazel (Zvicër).

Në këtë artikull ajo e spjegon mënyren e re të testimit të shpejtë që bëhet brenda 15 minutave me testin SARS-CoV-2 Rapid Antigen (Roche Diagnostics).

Image
Dr. Fatime Imeri Berisha

Kompania e njohur Roche Diagnostics pati paralajmëruar lansimin e testit SARS-CoV-2 Rapid Antigen qysh në fillim të shtatorit të këtij viti. Synimi i këtij testi është që të bëjë detektimin e virusit në mostra nga fyti dhe hunda brenda 15 minutave. Sipas Roche Diagnostics, senzitiviteti i testit është 96% dhe specifiteti 99%. Ky test, si i tillë i plotëson kushtet e OBSH për përdorimin e tij.

Tanimë laboratoret kanë filluar të furnizohen me këtë test dhe janë bërë edhe testimet e para për saktësinë e tij.

Në laboratorin tim në Cyrih i kemi testuar në mënyrë paralele disa qindra mostra me RT-PCR dhe me testin e shpejtë SARS-CoV-2 Rapid Antigen (Roche Diagnostics)

Nga testimet e para rezultoi që:

Të gjitha mostrat me sasi të lartë të virusit, që ishin pozitive në RT-PCR, ishin pozitive edhe me testin e shpejtë SARS-CoV-2 Rapid Antigen. Te shumica e tyre nuk ishte e nevojshme të pritej as 15 minuta sepse reaksioni pozitiv rezultoi pas 1-2 minutave.

Te mostrat me sasi të ulët të virusit, rezultati me testin e shpejtë SARS-CoV-2 Rapid Antigen me gjasë do të jetë negativ (“negativ i rrejshëm”).

Mostrat negative me RT-PCR ishin negative edhe me testin e shpejtë.

Përvoja me teste të shpejta është ende e ulët, për këtë arsye duhet të bëhen testime të mëtejme për tu dhënë një konkludim i sigurtë.

Përveç testit SARS-CoV-2 Rapid Antigen të kompanisë Roche Diagnostics, në treg qarkullojnë edhe disa teste tjera të këtij lloji.

OBSH ka dhënë në ndërkohë (11. Shtator 2020) rekomanimet e saj për përdorimin e testeve Rapid Antigen apo Ag-RDT (Antigen-rapid detecting tests)

Kur duhet të bëhet testi Rapid Antigen sipas OBSH-së:

Kur testi RT-PCR nuk mund të bëhet pë shkak të kapacitetit të kufizuar

Te pacientët që kanë simptome të Covid-19: nëse testi i shpejtë është pozitiv nuk ka nevojë të bëhet testi RT-PCR. Pacienti konsiderohet pozitiv dhe izolohet. Nëse rezultati është negativ, preferohet ritestimi

Në një kolektiv ku ka shumë pacientë të konfirmuar me RT-PCR, personat e rrezikuar testohen me testin e shpejtë dhe ata që rezultojnë negativ duhet të ritestohen me RT-PCR

Për vëzhgimin e trendit të zhvillimit dhe përhapjes së sëmundjes

Te punëtorët shëndetësorë, në shkolla, te të burgosurit

Për detektimin e hershëm të rasteve pozitive

Për testimin e individëve që kanë pasur kontakt me pacientë me Covid-19

Në rast se testi i shpejtë rezulton negativ pacienti duhet të rrijë në shtëpi derisa të kalojnë simptomet e sëmundjes. Eventualisht mund të bëhet ritestimi ose të bëhen edhe teste për virusë të tjerë që mund të shkaktojnë simptome të ngjashme me ato të Covid-19.

Kur NUK duhet të bëhet testi Rapid Antigen sipas OBSH-së:

Individët pa simptome përveç nëse kanë pasur kontakt me një rast pozitiv për Covid-19

Në një kolektiv ku ka pak raste me Covid-19

Në mungesë së infrastrukturës (maska, syzat, mbrojtja e personit që e aplikon testin)

Kur rezultati i testit nuk ka ndikim në menaxhimin e rasteve apo pacientëve

Në aeroporte te punëtorët dhe udhëtarët

Në raste kur pacienti dhuron gjak, ky test nuk guxon të përdoret për të përjashtuar Covid-19

Ky test duhet të bëhet vetëm nga personeli i kualifikuar dhe me infrastrukturën e duhur.

Për fund: në rast se pacienti është me simptome të Covid-19, testi pozitiv me SARS-CoV-2 Rapid Antigen e konfirmon sëmundjen brenda 15 minutave. Ky rezultat mjafton për të konfirmuar Covid-19 dhe nuk ka nevojë për testimin me RT-PCR.

Kriteret e lartpëmendura të OBSH-së nuk janë definitive dhe do të aktualizohen në bazë të përvojës së mëtutjeshme me këto teste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat