Ndertesa e Komunes se Pejes, Pej. 04 Qershor 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Në 2019-ën, Komuna e Pejës angazhoi 58 punonjës për shërbime të veçanta pa kurrfarë konkursi

Në vitin që shkoi, Komuna e Pejës, pa konkurs angazhoi 58 punonjës me marrëveshje për shërbime të veçanta. Gjashtë prej tyre u angazhuan me Ligjin e Punës dhe 52, të tjerët ishin bazuar në Ligjin e Shërbimit Civil. Përveç kësaj, këta punonjës u angazhuan për t’i mbuluar pozitat e rregullta.

Raporti i Auditori tregon se nuk është zhvilluar ndonjë procedurë e rekrutimi për këta punonjës

“Për 52 punonjës komuna nuk ka zhvilluar ndonjë procedurë formale (të thjeshtëzuar) të rekrutimit, përkundër që neni 12 pika 4 të LSHC Nr.03/L-149, përcakton që emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit”, thuhet në gjetjet e raportit.

Tutje Auditori sqaron se angazhimet e tilla lejohen të bëhen vetëm për punë specifike dhe në kushte të veçanta e të paparashikuara. Këta punonjës ishin të angazhuar kryesisht për pozita të rregullta të punës, ku në pesë rast u evidentuan se ishin lidh dy marrëveshje me të njëjtit persona për kohë më të gjatë se gjashtë muaj.

Këto mangësi në raport thuhet se kishin ndodhur si pasojë e mungesës së buxhetit për staf të ri në programet e përhershme dhe aprovimit të kufizuar nga Ministria e Financave përkundër kërkesave.

Mbulimi i pozitave me marrëveshje të përkohshme pa procedura nga Auditori vlerësohet se e rritë rrezikun nëse në pozitat e tilla angazhohet staf adekuat që mund të rezultojë me përformancë të dobët dhe mos arritje të objektivave.

Kryetari iu rekomandua të siguroj ndërprerjen e kësaj praktike dhe për pozitat të cilat ka nevojë të diskutoj me Ministrinë e Financave

“Kryetari, duhet të siguroj ndërprerjen e një praktike të tillë të angazhimeve pa procedura të rekrutimit. Po ashtu, komuna për pozitat e rregullta të punës për të cilat ka nevoja afatgjata kërkesat ti trajtoj dhe diskutuar me MF dhe t’i adresoj me rastin e planifikimit të buxhetit”, rekomandon Auditori.

Përmes letërkonfirmimit, drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit, kreu i komunës Gazmend Muhaxheri konfirmoj se pajtohet me të gjeturat e raportit dhe rekomandimet pa ndonjë koment në përmbajtjen e raportit për Pasqyrat Financiare Vjetore të  viti 2019 për Komunën e Pejës.