Telekomi i Kosovës humb sërish rastin për borxhin 25 milionësh ndaj Z-Mobile

Telekomi i Kosovës humb sërish rastin për borxhin 25 milionësh ndaj Z-Mobile

Telekomi i Kosovës, sërish humbë rastin në lidhje me borxhin milionësh që ia kishte kompanisë “Dardafone.net LLC”.

Pas shumë përpjekjeve nga Telekomi i Kosovës, për të mos e paguar këtë borxh, edhe me një ndërmjetësim të Qeverisë së Kosovës, ku Telekomi u zotua se do ta bëjë këtë pagesë ndaj  kompanisë “Dardafone.net LLC”, kjo gjë nuk ndodhi.

Kësisoj, pas një ankese që kishte parashtruar Telekomi i Kosovës në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit, vetëm se ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore Prishtinë, dhe ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimin e borxhit milionësh nga Telekomi i Kosovës.

Ankesa e Telekomit të Kosovës, nga Gjykata e Apelit është cilësuar si e pathemeltë, pasi që, kjo gjykatë ka vlerësuar se Gjykata e shkallës së parë, në bazë të provave të cilat gjinden në shkresat e lëndës ka marr aktvendim të drejtë dhe të bazuar në dispozitat konkrete ligjore.

“I njëjti është i kuptueshëm dhe i qartë, prandaj vendimin e Gjykatës lidhur me këtë çështje e pranon edhe Gjykata e Apelit”, thuhet në Aktvendimin e Apelit të nxjerrë më 22 tetor.

Me tutje thuhet se “përmbaruesi ka lejuar përmbarimin me urdhërin të datës 15.07.2019, ndaj të cili urdhër i autorizuari i debitorit ka paraqitur prapësim me datë 18.07.2019, ndërsa i autorizuari i krideitorit ka paraqitur përgjigje në prapësim më 24.07.2019”, thotë Aktvendimi.

Ndërmarrjes Publike, Telekomi i Kosovës, i ishin bllokuar llogaritë më 15 korrik nga përmbaruesi privat si pasojë e borxhit prej rreth 25 milionë eurosh nga kompania Dardafone (Z Mobile) që kishte fituar gjykimin në Arbitrazh, për rastin me Z-Mobile.

Vendimi për bllokim kishte ardhur pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ia njohu të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Pas bllokimit të llogarive, më 31 korrik kishte ndodhur një takim ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti, kryetarit të bordit të Drejtoreve të Telekomit, Mehmet Berisha, ministrin e Zhvillimit Ekonimik, Blerim Kuqi ishte arritur marrëveshje që të zhbllokohen të gjitha llogarite bankare të Telekomit.

Në atë takim palët ishin dakorduar që të bëhet pagesa e borxhit ndaj Dardafon.net, më së largu deri me 30.10.2020.

Sipas asaj që ishin pajtuar palët, në rast të mos respektimit të marrëveshjes, llogaritë bankare të Telekomit do të bllokoheshin përsëri dhe Përmbaruesi do të zbatonte të gjitha Procedura e Ligjit për Procedurën Përmbarimore.

Kontesti mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Dardafon.net ka të bëjë me marrëveshjen e vitit 2009, sipas së cilës “Z mobile” do të ishte operator i telefonisë mobile “Vala” me mbi 200 mijë numra.

Dardafon.net më vonë kishte kërkuar numra shtesë dhe ofrimin e shërbimeve 3G dhe 4G por që kërkesa e tyre ishte refuzuar nga ndërmarrja publike.

Mospajtimet mes tyre përfunduan në Arbitrazh.

Tribunali i Arbitrazhit, në dhjetor 2016 kishte vendosur në favor të Dardafonit duke e obliguar Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit.

Shpërndaje në: