Dorëzohet njëri nga të arratisurit në rastin e "avullimit" të 2 milionëshit të Thesarit

Kadri Shala është dorëzuar gjatë ditës para organeve të rendit në lidhje me rastin e ‘avullimit’ të më shumë se 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

I njëjti sipas një njoftimi të policisë ditë më parë, ka qenë i arratisur së bashku me një person tjetër ndërsa sot gjatë ditës është dorëzuar në polici.

“Lidhur me rastin e poshtëshënuar, sot në Polici të Kosovës është vetëdorëzuar një mashkull kosovar i cili tani është në proces të intervistimit. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin dhe personin në fjalë, do t’i ndërmarrë në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetentë”, tha Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani për KALLXO.com

Ditë më parë policia kishte njoftuar se pas hetimeve të zhvilluara ishte arrestuar Liridon Grudën ndërsa policia kishte raportuar edhe për dy të therë të cilët ishin në arrati.

Liridon Gruda, Kadri Shala dhe një person tjetër dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milionë euro.

“Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit”, ishte thënë në njoftimin e 20 tetorit nga ana e Policisë së Kosovës.