Apeli i Presidentit për të pritur opinionin e Venecias për Kodin: Deputetët të lexojnë 81 faqe arsyetim, Kuvendi njëpartiak do të mbajnë përgjegjësi për…

Oct 27, 2020 | 8:13
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/Pasi ktheu për rishqyrtim Kodin Zgjedhor në Kuvend dhe i kërkoi Komisionit të Venecias një opinion urgjent, dje Presidenti Meta publikoi 8 pyetjet që ka dërguar. Në konferencën e zakonshme për mediat, Meta tha se i ka çuar 8 pyetje Komisionit të Venecias pas një arsyetimi të detajuar të të gjithë situatës dhe klimës sa i takon mënyrës se si u miratuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor në 5 tetor. Kreu i shtetit tha se kthimi që ai i bëri Kodit Zgjedhor në Kuvend dhe gjithashtu opinioni urgjent i kërkuar nga “Venecia” është një mundësi për maxhorancën dhe Kuvendin që të reflektojë.

ilir meta

Meta tha se shpreson që deputetët t’i lexojnë të gjithë argumentet që ai ka paraqitur në relacionin 81 faqe, bashkëngjitur dekretit kur ktheu ndryshimet e Kodit në Kuvend. Më tej, ai theksoi se maxhoranca do të mbajë përgjegjësi për çdo veprim që do të bëjë në lidhje me Kodin. Në pyetjet e dërguara me urgjencë në “Venecia”, Meta theksonte edhe rrezikun që me ndryshimet e bëra në 5 tetor të cenohet barazia e palëve në zgjedhjet e 25 prillit.

Po ashtu, një pyetje tjetër e Metës drejtuar Komisionit kishte të bënte me respektimin e standardeve që imponon OSBE, duke qenë se Shqipëria ka presidencën e radhës së këtij institucioni. Më tej, i pyetur në lidhje me reagimin e qytetarëve dhe nëse do t’u bashkohet protestave, Meta tha se ai e di shumë mirë atë që duan qytetarët dhe garantoi se do të jetë në të njëjtën gjatësi vale me atë që ata kërkojnë.

Presidenti garantoi se pavarësisht çdo vendimi që do të marrë Parlamenti, ai nuk do të lëvizë nga qëndrimet e tij për të kërkuar dhe garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, që, sipas tij, duhet t’i bëjë një vend që po kërkon të nisë negociatat për anëtarësim në BE.

DËRGIMI NË VENECIA

“Presidenti i Republikës, pas paraqitjes së një kërkese zyrtare të Opozitës së Bashkuar dhe në funksion të shmangies së një krize tjetër zgjedhore në Shqipëri, për të kontribuar në legjitimitetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor, me qëllim që të sigurohen standardet minimale ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, veçanërisht në një situatë ku sistemi i kontrollit dhe balancës është totalisht jofunksional, i prirë drejt autoritarizmit, po u drejtohet praktikave të mira të Komisionit të Venecias me një kërkesë për të dhënë në kushte urgjente një opinion për pyetjet e mëposhtme: Unë jam këtu për të demonstruar përgjegjshmërinë e plotë dhe maksimale të Presidentit për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe standardet minimale për një vend anëtar të OSBE-së, aq më tepër që i ka qëlluar të ketë presidencën e radhës së këtij institucioni që ka përgjegjësi për standardet e zgjedhjeve kudo. Së dyti, të një vendi anëtar të KiE-së dhe të një vendi që i ka disa kushte për zgjedhjet për negociatat me BE-në dhe gjithashtu të një vendi që është fqinj me Maqedoninë, e cila kë treguar se si mund të bëhen zgjedhje model, të ndershme e demokratike.

Se si do të sillet maxhoranca, kjo mbetet për t’u parë. Nuk kam arsye për të shpresuar në reflektim nga ana e tyre. Më vjen keq që nuk kanë lexuar 81 faqe arsyetim të Presidentit, pasi është bënë një punë e përgjegjshme jo vetëm nga stafi, por edhe nga ekspertët, të cilët kanë qenë të shqetësuar për shkeljen brutale të 5 qershorit. Megjithatë, gjithsecili mban përgjegjësi për veprimet e tij, aktet dhe vendimet e Presidentit kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë transparente dhe në interes të popullit, të stabilitet dhe të ardhmes së europiane të Shqipërisë”.

KËRKESA E OPOZITËS

“Unë, si President, kam marrë në konsideratë një kërkesë zyrtare të opozitës për t’iu drejtuar Venecias, dhe e ndjeva si detyrim për të respektuar kërkesën e tyre, pasi e shoh si një kërkesë tërësisht europiane, pasi opozita e pranoi insistimin tim për të mos vendosur si kusht një qeveri teknike për nënshkrimin e marrëveshjes së 5 qershorit, edhe pse opozita i kishte të gjitha të drejtat e saj për shkak të zgjedhjeve të 2017, të dosjeve të Shijakut, Dibrës dhe të gjitha dosjeve që ka publikuar ‘Bild’, për të mos pasur besim te kjo qeveri për sa i takon standardit të zgjedhjeve. Presidenti i ka sytë nga populli shqiptar”.

RESPEKTIMI I “5 QERSHORIT”

“Presidenti nuk ka se çfarë takimi të zhvillojë, sepse është firmosur marrëveshja në 5 qershor, ajo ka vetëm një mënyrë dhe të gjithë kanë vetëm një detyrë, që ta respektojnë, duke filluar nga Presidenti, i cili po e respekton marrëveshjen duke dhënë këtë mundësi për reflektim me argumentet përkatëse, më pas edhe nga të gjithë aktorët e tjerë”.

PARALAJMËRIMI PËR KUVENDIN

“Ne e dimë që Venecia është një institucion shumë i rëndësishëm, i dimë edhe vendimet që janë dhënë në të kaluarën nga Komisioni i Venecias, që nuk janë respektuar nga Kryeministri aktual. Kjo tani është një çështje që ne shpresojmë të ketë një reflektim, ose unë shpresoj që të ketë një reflektim. Sepse Presidenti në çdo rast është i qartë dhe ka shumë zgjidhje, të cilat të gjitha do të kërkojnë mbështetjen dhe bashkimin e popullit shqiptar për të garantuar të ardhmen europiane të këtij vendi. Ky është një objektiv kombëtar i të gjithëve. Se si do të veprojnë maxhoranca apo Kuvendi njëpartiak, ajo është një përgjegjësi e tyreM jo e Presidentit, i cili do të jetë në lartësinë e detyrës për të mbrojtur rendin kushtetues në republikë dhe pluralizmin politik, i cili është në themel të këtij rendi kushtetues. Ka zero mundësi, ua kam thënë prej kohësh, që në zgjedhjet e 25 prillit populli opozitar të mos përfaqësohet në Shqipëri, kjo ka zero mundësi. Të gjithë duan stabilitet dhe bashkëjetesë paqësore, demokratike, funksionim të institucioneve, sundim të ligjit dhe jo të Maliqit dhe kjo s’ka lidhje me Maliqin e Korçës. Të gjithë kërkojnë që Shqipëria sa më shpejt të çelë negociatat dhe të afrohet me BE-në që të mos vazhdojë shpopullimi i vendit në këto përmasa dramatike që i kemi shpjeguar edhe më herët”.

PROTESTAT

“Nëse ju nuk arrini ta dëgjoni protestën, por unë edhe tani e dëgjoj dhe e ndiej jehonën e protestës. Qëllimi i Presidentit nuk është që të nxisë protesta, por në kushtet kur ka përpjekje për të shtypur të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë për interes të një pakice, e cila bllokon integrimin europian të vendit, e cila zhyt Shqipërinë në borxhe tepër kërcënuese, edhe për vetë sovranitetin e saj, dhe vendos një mur në rrugën europiane të Shqipërisë, pa dyshim që Presidenti e di se ç’mendon dhe kërkon populli shqiptar, edhe nuk do të pres popullin t’i japë drejtim kësaj çështje, por në të njëjtën gjatësi vale, do ta zgjidhim këtë çështje. Ne shpresojmë te reflektimi dhe të ketë përgjegjshmëri dhe shpresojmë që në Kuvend deputetët, të cilët herën e parë nuk kanë qenë shumë të bindur, t’i lexojnë relacionet dhe të veprojnë me përgjegjshmëri, pasi në fund të fundit do të ngelen prapë ata emrat dhe gjithsecili do të ketë një raport me të ardhmen”.

8 PYETJET E METËS PËR “VENECIAN”

1.A mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme rregullat themelore që rregullojnë konkurrencën zgjedhore, veçanërisht rregullat në lidhje me transformimin e votave në mandate midis konkurrentëve, pasi të ketë filluar procesi zgjedhor, dhe vetëm 6 muaj para datës së zgjedhjeve? Sa e rëndësishme është qëndrueshmëria e legjislacionit zgjedhor dhe njohja e ligjit nga konkurrentët zgjedhorë mjaftueshëm kohë përpara zgjedhjeve, për vet cilësinë dhe besueshmërinë e zgjedhjeve?

2. Nëse rregullat, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me transformimin e votave në mandate midis konkurrentëve, ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe shumë afër datës së zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurojnë avantazh për partinë që ka paraqitur ndryshimet, a dëmtojnë ose ndikojnë këto ndryshime parimet e qëndrueshmërisë së ligjit, sigurisë juridike dhe rregullave të barabarta të lojës (konkurrimit), të cilat janë kyçe për të përmbushur angazhimet e OSBEsë për zgjedhje demokratike? A e komprometojnë këto ndryshime procesin zgjedhor ? A e 5 Neni 64 i Kushtetutës i ndryshuar më 30 korrik 2020, që vendosi një prag kombëtar. 10 kompromentojnë ato gjithashtu stabilitetin politik nëse bëhen në kundërshtim me konsensusin e 24 janarit dhe 5 qershorit të arritur nga shumica e partive politike?

3. A shkelet përfundimisht parimi i garancive procedurale nëse ndryshime të tilla në ligjin zgjedhor të miratuara njëanshmërisht dhe me nxitim bëhen në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale e cila mund të kontrollojë pajtueshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut?

 4. Ndërsa ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor të 30 korrikut dhe 5 tetorit nuk ishin pjesë e rekomandimeve të hershme të OSBE/ODIHR për Shqipërinë, a është procedura urgjente një motiv i ligjshëm për të justifikuar ndryshimet e njëanshme nga një Parlament i kontestuar, që nuk ka kuorumin kushtetues prej 140 deputetësh? A kishte ndonjë nevojë shtrënguese sipas standardeve ndërkombëtare për t’i modifikuar ato në mënyrë të njëanshme?

5. A është dispozita e futur rishtazi në Kodin Zgjedhor, për të drejtën e Kryetarit të një partie politike për të kandiduar në 4 qarqe zgjedhore, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe veçanërisht me parimin e mos-diskriminimit midis kandidatëve dhe votuesve?

6. A e pengojnë rregullat aktuale në fuqi, për mbledhjen e votave dhe shndërrimin e tyre në mandate midis konkurrentëve, veçanërisht ato në lidhje me koalicionet zgjedhore dhe formulën përkatëse për ndarjen e mandateve, futjen e listave të hapura për përzgjedhjen e kandidatëve nga votuesit? Në rast se legjislacioni miraton listat e hapura, ndërsa mekanizmi ekzistues i koalicioneve zgjedhore dhe formula përkatëse për ndarjen e mandateve për koalicionet mbeten ashtu siç janë aktualisht në fuqi, a do të ishte legjislacioni përkatës shqiptar në përputhje me angazhimet e OSBE-së?

7. A i dëmton të drejtat e partive politike dhe elektoratit të tyre, imponimi i njëanshëm i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në lidhje me koalicionet parazgjedhore për të kandiduar me një listë unike? (vota e barabartë e kandidatëve të partive të ndryshme politike brenda një koalicioni; e drejta e përfaqësimit ligjor për të mbrojtur interesin e tyre gjatë procesit zgjedhor; e drejta për kohën e transmetimit dhe qasja në media; e drejta e përfaqësimit në komisionet vendore zgjedhore; e drejta dhe transparenca e financimit)?

8.Duke patur në konsideratë situatën, cila do të ishte një zgjidhje e pranueshme për të siguruar një proces zgjedhor në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet europiane për zgjedhje demokratike dhe të dakordësuara nga të gjithë aktorët kryesorë politikë dhe subjektet zgjedhore, në mënyrë që të shmanget një krizë tjetër zgjedhore dhe politike?

OPINIONI I “VENECIAS” PAS KËRKESËS SË KUVENDIT PËR SHKARKIMIN E METËS

“Beteja” e parë mes Kuvendit dhe Presidentit në Komisionin e Venecias ishte në lidhje me dekretin e Metës për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Kuvendi këtë veprim e cilësoi si shkelje të rëndë kushtetuese, duke kërkuar shkarkimin e tij. Por, në opinionin e dërguar për këtë çështje, Komisioni i Venecias theksoi se “në kushtet e mungesës së një dispozite ligjore, Presidenti mund të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, vetëm në një situatë, e cila plotëson kriteret për marrjen e masave të jashtëzakonshme, duke pasur gjithashtu edhe një bazë specifike ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve lokale”.

TËRHEQJA E KUVENDIT PAS OPINIONIT TË “VENECIAS” PËR BETIMIN E GJYQTAREVE

Pasi nuk arriti ta shkarkonte Presidentin Meta, pasi Komisioni i Venecias në opinionin e tij nuk nxori në pah shkelje të rënda, Kuvendi ndërmori një nismë për të ndryshuar ligjin për të ndryshuar kompetencat e tij në lidhje me betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Por, edhe në këtë rast, Kuvendi bëri sërish një hap pas, për shkak se Komisioni i Venecias konstatoi se nisma ligjore cenonte të drejtat që Presidentit i garantohen nga kushtetuta. Ky opinion i “Venecias” bëri që Kuvendi të mos e miratonte ligjin, duke e rrëzuar atë në Komisionin e Ligjeve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura