Smajl Latifi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Njeriu i afërt me partinë e kryetarit të Rahovecit fitoi 12 tenderë nga Komuna

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është i ftuari i radhës në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës.

Latifi në fillim të debatit u pyet në lidhje me tenderët e shumtë që ia dha përkrahësit të AAK-së, Tahir Bala, përkatësisht kompanisë së tij “Age Group”.

I pari i Rahovecit u arsyetua se nuk e di se sa tenderë i ka fituar Bala.

“Unë nuk e di se i ka fitu 12 tenderë, unë nuk them që s’ka fituar “Age Group”. Jo s’i kam ngjeh, nuk është çështje e ime. Çështja e ime është të kujdesem për realizimin e suksesshëm në përputhje me planin dinamik të kontratës, të garantohet cilësia maksimale dhe jam përgjegjës për këtë koncept”, tha Latifi.

Ai shtoi se beson se kjo çështje është në rregull dhe se është në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik.

“Mendoj që Ligji i Prokurimit Publik i rregullon këto çështje edhe përgjegjëse për dhënien e kontratës e ka Zyra e Prokurimit dhe besoj që auditorët i kanë dhënë vlerësimet e veta edhe ata të brendshëm edhe ata të jashtëm dhe organizata USAID dhe besoj që çdo gjë është sipas Ligjit të Prokurimit Publik”, tha Latifi.

 

Në Komunën e Rahovecit, kompania “Age Group” i ka fituar 12 tenderë gjatë periudhës 2018-2020, e që kanë vlerën rreth 500 mijë euro për punë të ndryshme në këtë komunë.

Këta tenderë përfshijnë, investime në infrastrukturën kulturore, ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Çiflak, renovimi i QKMF-së, furnizim me gypa me PVC, ndërtimi i një shkolle fillore, riparimi i tregut të gjelbër, investimet në zonë ekonomike në Opterushë etj.

KALLXO.com ka gjetur se pronari i saj, Tahir Bala, në Facebook ka bërë fushatë për nënkryetarin e Komunës, Fatmir Iska, i AAK-së, kur kandidonte për deputet në vitin 2019.

Pronar i kompanisë “Age Group”, Tahir Bala duke shpërndarë thirrje për votimin e nënkryetarit, Fatmir Iska.

Bala i pyetur nga KALLXO.com për afërsinë e tij me partinë AAK, ai nuk e ka mohuar se ka qenë simpatizant.

“Jo, s’ka lidhje kjo, unë kam tender edhe në Malishevë, gjithkund kam tender. Partia s’ka ndiku se me pasë ndiku partia s’kisha marrë tender as në Suharekë. Nuk kam raporte me AAK, ma herët kam qenë vetëm simpatizant i partisë, asgjë tjetër, s’ka ndiku asgjë”, ka thënë Bala.

I ftuari i radhës në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës është kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Në këtë debat, Latifi do të ballafaqohet me premtimet e bëra në fushatën e vitit 2017, punët e përfunduara si dhe ato të papërfunduara deri tani, për tri vite të qeverisjes.

Tek pyetjet e ‘zërit të qytetarëve’, Latifi do të arsyetohet për mosfunksionalizimin e hemodializës, mungesës së ujit e kanalizimit, me problemet e vreshtarëve të Rahovecit si dhe me problemet e mësimdhënësve të larguar nga puna e po ashtu edhe me muzeun e zbrazët të këtij qyteti.

Përballë Latifit nga ana e opozitës është vetëm asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Zhuniqi. Pjesëmarrës në debat janë edhe asamblisti i AAK-së, Ali Morina dhe nënkryetari i Komunës, Fatmir Iska.