Po na mjekojnë gabim, por kush mban përgjegjësi?

Postuar në 23 Nëntor, 2020 16:54

Dje, Agjencia Telegrafike Shqiptare përcillte një intervistë me mjeken e Familjes në qendrën shëndetësore nr. 4 në Tiranë, Entela Labaj.

Ndër të tjera mjekja nënvizonte rëndësinë e trajtimit të pacientëve të prekur me CoVid-19.

Këshilla jonë ka qenë gjithnjë një vitamino-terapi, pra vitamina C, D dhe zink, që ndihmojnë imunitetin. Nëse kanë temperaturë dhe vijon të paktën 3-4 ditë mbi 37.5, duhet të përdoret paracetamol, takipirinë e thjeshtë. Pacienti duhet të përdor lëngje me shumicë gjatë gjithë kohës, ujë me shumicë, çajra, supra, pasi shumë ankohen se kanë djersitje të shtuar dhe lëngjet do ndihmojnë në rikuperimin e kripërave. Në të tilla raste këshillojmë edhe trisolin, që bën zëvendësimin e kripërave minerale…Kur kanë kaluar 3-4 ditë, apo dhe 5 ditë, që ka temperaturë dhe kësaj i bashkangjitet një kollë e thatë pa sekrecione të bardha apo me ngjyrë, pasi ka patur raste me sekrecione me ngjyrë, në këto raste këshillojmë pacientët të realizojnë ekzaminimet radiologjike, laboratorike dhe në bazë edhe të klinikës së pacientit, atëherë vetë mjeku vendos nisjen e antibiotikut të gjeneratës së parë, si azitromicina 500 mg.

Dhe duke iu bashkëngjitur dhe antibiotik tjetër, në rast se azitromicina nuk bën punë, shkojmë tek levofloksacinë dhe nëse ecuria kalon mes stadit të dytë dhe të tretë i bashkëngjisim deksametazon dhe antikoagulant kur nis insuficiencë e lehtë respiratore, kur shoqërohet me temperaturë pas ditës së gjashtë. Më tej duke parë dhe me oksimetër saturimin e oksigjenit, duke parë analizat laboratorike, gjendjen klinike dhe kontrollet radiologjike vendoset se si do ndiqet pacienti

Pra kemi një terapi graduale ku antibiotioku dhe kortizonikët janë hallka e fundit e trajtimi, gjithjë në varësi të klinikës.

Sot, mjeku Adrian Fandi që ushtron profesionin në Londër fliste në një intervistë për AbcNews për atë që e quante trajtim i gabuar i pacientëve në Shqipëri.

Unë isha në Shqipëri dhe kam kontakte me kolegët atje. Në Shqipëri fillojnë direkt me dhënien e antibiotikëve pa kriter. Japin antibiotikë që ne i përdorim në infeksione shumë të rëndë. Ilaçi i shtrenjtë nuk është ai që të shëron, por ilaçi i duhur. Antibiotiku nuk shëron virusin. Kur fillon inflamacioni aty hyn puna e mjeku. Por mjeku duhet ta dijë është problem viral. Koronavirusi në ditën e parë nuk ke asgjë. Simptomat fillojnë ditën e pestë. Nuk duhet të bëjmë asnjë radiografi. Sepse komplikancat fillojnë në ditën e 10. Skaneri duhet bërë të paktën 5 ditë pas fillimit të simptomave. Nëse ka filluar kolla duhet filluar direkt koritizoni dhe aty është momenti kur duhet filluar menjëherë. Tamponi është pozitiv apo negativ mua nuk më intereson. Kam parë shumë vetë me tampon negativ, por kishin pneumoni virale. Është klinika ajo që tregon.

Një njeri që ka problem në veshka ti shkon i jep ibuprofen me doza të larta. I ke krijuar një problem të madh në veshka. Remdesivir jep plot efekte anësore sidomos në veshka. Shumicat e ilaçeve dalin jashtë nëpërmjet mëlçisë dhe veshkave. Është mirë që kolegët e ta mendojnë para se të japin një ilaç. Puna e parë ke temperaturë pi paracetamol, apo ibuprofen nëse s’ke problem në veshka. E dyta, një oksimetër, nuk ka nevojë ta blesh 70 euro, blej një më të lirë. Nëse këto parametra janë të modifikuar dhe të ulet sokigjeni në gjak duke ecura duhet të flasësh me mjekun

është shprehur ai.

Nëse e shohim në pamje të parë ecuria e trajtimit që sugjerohet është e njëjtë. Jo antibiotikë dhe ekzaminim radiologjik që në fillim, jo menjëherë kortizonikë apo antiviralë si remdesivir. Jo medikamente pa njohur historikun e sëmundjeve të pacientit. Pra protokolli në Shqipëri njihet. Atëherë pyetja që lind është: kush dhe pse po mjekojnë gabim? 

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama, në një dalje të rrallë paturpësie, deklaronte se duhet të ruhemi nga privatë që duan të shesin ilaçe, duke harruar se ai dhe qeveria e tij janë përgjegjës për shëndetin publik jo vetëm në spitalet publike, jo vetëm për të aplikuar masa administrative apo ruajtur karantinën. 

Kush po na mjekon gabim? Kush po i dënd njerëzit me antibiotikë duke ecur me parimin e kundërt me Adhamudhin që e sheh recetën 80 000 lekë si mjekësi parandaluese?

Këto pyetje duhet t’i sqarojë qeveria që ka instrumente ligjore dhe agjenci, apo edhe prokuroria. Sepse receta është përgjegjësi dhe si e tillë është provë për një hetim. Por z. Rama nuk po do ta bëjë punën duke preferuar të lërë të kalojë edhe një situatë si kjo ku njerëzit po mjekohen duke dëgjuar lart e poshtë çfarë u thonë, duke u vetëkuruar me “trajtimin turk”, italian etj., përherë në dëshpërimin e madh që të jep një gjendje e pashpresë si kjo.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.