Islanda përballë një të ardhmeje pa akullnaja

Evropë

Islanda përballë një të ardhmeje pa akullnaja

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 06:41
Islanda

Vatnajökull, një ndër akullnajat më të mëdha të Evropës po zhduket me ritme alarmante. Megjithë gjendjen kritike, ka shkencëtarë që mendojnë se situata nuk është e pashpresë dhe se mund të ngadalësohet me masat e duhura.

Vatnajökull është akullnaja më e madhe e Islandës dhe për nga vëllimi është më e madhja edhe në Evropë. Ajo mbulon 8% të Islandës dhe ujërat që rezultojnë nga shkrirja ushqejnë lumenjtë më të fuqishëm të vendit. Parku kombëtar i shpallur në këtë akullnajë ka dhjetë vullkane aktive. Në 2019, parku u përfshi në listën e UNESCO-s të Pasurive Botërore. Por shtresa e akullit po zvogëlohet me shpejtësi, thonë shkencëtarët:

“Shumë shqetësuese. Na ka habitur nga shpejtësia e ritmeve të shkrirjes,” thotë Snaevarr Gudmundsson me Shoqatën e Shtresave Akullnajore. Sipas përllogaritjeve, rreth 150 mijë litra ujë shkrihen çdo secondë nga majat akullnajore. Kjo rezulton në afro 13 miliardë litra akull të shkrirë në ditë.

Shkencëtari Gudmundsson parashikon se brenda pesë vjetësh shtresa e akullit nën këmbët e tij do të jetë zhdukur. “Sipërfaqja e akullit po hollohet. Në këtë zonë shtresa e akullit tërhiqet afro 100 metra në vit. Në tre-katër vjet, nuk do të kem më akull, por dhé nën këmbë”. E gjithë kjo, thotë ai, është rezultat i ngrohjes globale.

“Kjo vërtetohet fare thjeshtë me shpjegimin e fenomeneve fizike. Shko në dyqan, blej në akullore dhe po të rrish në të nxehtë e sheh që shkrin”. Islanda ka përjetuar rritje të ndjeshme në sektorin e turizmit në 10 vjetët e fundit. Por këtë vit, koronavirusi e goditi rëndë këtë sektor: “U detyruam të pushojmë shumë njerëz.Zhdukja e vendeve të punës është pengu më i madh. Por shpresojmë se gjërat do të ndryshojnë dhe do të fillojmë të marrim përsëri njerëz në punë,” thotë një guidë turistike.

Për sa kohë që vazhdojnë të ekzistojnë akullnajat, do të rezistojë edhe shpresa për rikthimin e turistëve. Por shkencëtarët bëjnë paralajmërime shqetësuese: “150-200 vjet më vonë, akullnajat do të jenë zhdukur. Islanda do të jetë pak a shumë e zhveshur nga akulli,” thotë një ekspert i akullnajave. Shkrirja paraqet kërcënim për një numër sektorësh të prodhimit. Islanda ka një sektor të diversifikuar energjetik, që mbështetet në prodhim gjeotermik, hidroenergjetik e forma të tjera, të gjitha të varura nga pasuritë ujore të vendit që ushqehen nga akullnajat.

Komuniteti shkencor dhe autoritetet po bëhen përherë e më të vetëdijshme ndaj këtij rreziku dhe besojnë se nëse veprohet me shpejtësi, shkrirja do të ngadalësohet. Ndërkaq, islandezët duket se po përgatiten për një të ardhme të mundshme kur Islanda nuk do të jetë më vendi i akullnajave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat