Skandaloze: Pacientët thonë se po blejnë vetë fashat në Spitalin e Gjilanit - Gazeta Express
string(74) "skandaloze-pacientet-thone-se-po-blejne-vete-fashat-ne-spitalin-e-gjilanit"

Skandaloze: Pacientët thonë se po blejnë vetë fashat në Spitalin e Gjilanit

Arbresha Berisha

25/11/2020 18:04

Edhe pse janë në Listën Esenciale të Barnave, pacientët në Kosovë thonë se po vazhdojnë të blejnë vetë edhe produktet më esenciale, të cilat do të duhej t’i gjenin në institucionet publike shëndetësore në vend. Së fundmi, në Gjilan, ata kanë blerë vetë edhe fashat.

Pacientët në Spitalin e Gjilanit janë ankuar se po blejnë vetë fashat të cilat po ju nevojiten gjatë trajtimeve mjekësore.

Lexo Edhe:

Një nga pacientët e shtrirë në këtë spital ka thënë për Express, se mjekët i kanë kërkuar që të blejnë fashë, për shkak se nuk kanë në spital.

Për këtë, familjarë të tij është dashur të drejtohen në barnatore private për ta blerë atë.

Në foton e dërguar për Express, shihet se fasha u ka kushtuar 2 euro.

Ata janë shprehur të shqetësuar se si as produktet më elementare nuk po i gjejnë në spital.

Mirëpo, një gjë tjetër po thonë zyrtarë të këtij spitali.

Edhe pse e pranojnë se kohë pas kohe kanë mungesë të produkteve medicinale, ata thonë se për momentin kanë furnizim me fasha.

Drejtori klinik në këtë spital, Ukshin Ismaili, është shprehur i painformuar se pacientëve i është kërkuar të blejnë vetë fasha.

“Në spitalin e Gjilanit nuk mungojnë fashat, ne kemi një sasi të tyre. Nuk e di se kush ka thënë, në spitalin tonë kemi sasi të fashave dhe gazrave”, ka thënë ai.

Megjithatë, Ismaili ka treguar se kohë pas kohe kanë mungesë të produkteve esenciale.

“Me material kryesisht jemi mirë, ka mungesa por kryesisht qëndrojmë mirë. Ato që janë esenciale i kemi, por kohë pas kohe kemi mungesë edhe të tyre”, ka shtuar ai.

Express ka kërkuar sqarime edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara.

Kujtojmë se mungesa të produkteve esenciale ka pasur vazhdimisht në institucionet publike shëndetësore në vend.

Në mungesë të tyre, pacientët është dashur t’i blejnë ato vetë në barnatore private.

Derisa në institucionet publike shëndetësore në vend po mungojnë edhe produktet esenciale,  Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalorë Klinikë e Universitar të Kosovës, vit pas viti ka shënuar rritje.

Që nga viti 2015, deri tani, buxheti për MSH-në dhe SHSKUK-në, është rritur për 45 milionë e 142 mijë e 837 euro.

Buxheti i ndarë për Ministrinë e Shëndetësisë gjatë këtij viti është 50 milionë e 855 mijë e 125 euro, ndërsa për SHSKUK-në, 118 milionë e 714 mijë e 402 euro. /Express/