×
  • Lajme
  • Lajme

    “Ngarkim, shkarkim, ngarkim…” – Pezullohet sërish nga puna sekretari rekord i shkarkimeve në MTI

    Reporteri
    26 Nëntor 2020 | 0:14

    Vetëm pak ditë pasi Gjykata vendosi që ta kthejë në punë sekretarin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Burim Rreci, ai është pezulluar sërish sot nga ministri Vesel Krasniqi.


    Burim Rreci është zyrtari që më së shpeshti është suspenduar dhe kthyer sërish në punë.

    Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar vendimin e shkarkimit të Rrecit.

    Në vendimin e siguruar nga Reporteri.net thuhet se Burim Rreci, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Inustrisë pezullohet deri në një vendim tjetër

    Në vendim thuhet se pezullimi bëhet për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore: Mos përmbushje e detyrave të punë, mosrespektim i afateve të caktuara në përmbushjen e detyrave të cilat kanë sjellë pasoja të rënda, moszbatim i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale, dëmtim i pasurisë shtetërore, përdorimi i saj jashtë përcaktimit zyrtar apo keqpërdorim i pasurisë shtetërore, shkelje e detyrave të përcaktuara në ligjin dhe legjislacionin në fuqi.

    Rreci është pezulluar me pagë 50 % .

    Reporteri.net ka raportuar dje se Rreci është kthyer në punë vetëm para pak ditësh.

    Një histori e gjatë ngarkimesh e shkarkimesh e ka përcjell Rrecin që prej fillimit të punës së tij në këtë ministri në janar të vitit 2018.

    Së fundmi ai sërish është kthyer në pozitën e sekretarit, pasi ishte larguar nga ministri Vesel Krasniqi në shtator të këtij viti. Arsye për pezullimin e tij nga kjo pozitë, ministri tha se është “neglizhenca” dhe “mosbashkëpunimi” nga ana e Rrecit.

    Vendimin për kthimin në punë të Rrecit e ka marrë Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Në vendim thuhej se Burim Rreci kthehet në pozitën e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësit e përcaktuar me vendimin e Qeverisë nr.11/26 të datës 29 janar 2018 dhe legjislacionin në fuqi, në zbatim të aktvendimit A.nt 16662.2020 të datës 9.10.2020 të Gjyjatës Themelore në Prishtinë/ Deprtamentri për Çështje Administrative.

     

    Gjykata e ka obliguar Departamentin e Financave dhe Shërbimeve të që ta bëjnë kompensimin e shumës së mjeteve prej 50 për qind të ndaluar sipas vendimit të datës 09.09.2020.

    “Bazuar në legjistalcionin në fuqi si dhe në zbatim të aktvendimit të datës a.nr 1682.2020 të datës 09.10. 2020 të Gjayktës Themelore në Prishtinë. Departamenti për Çështje Administrative, i vendos si në dispozitiv të këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi ditën e nënshkrimit”, thuhet në vendim.

    Por Burim Rreci, ishte shkarkuar edhe më parë. Ai është kthyer në punë në qershor në punë pas një suspendimi.

    “Në emër të ministrisë, për riemërimin e z. Burim Rreci në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë, duhet të kthehet dhe të vazhdojë punën brenda mandatit ligjor. Bazuar në rregullore, për fushat e përgjegjësisë administrative, ministria është e pavarur dhe duhet të kthehet sekretari i saj pasi që pushojnë arsyet për listë teprizë për z.Burim Rrecaj. Kërkojmë me mirësjellje që këtë vendim ta shqyrtoni dhe votoni në këtë mbledhje të Qeverisë”, ka thënë Krasniqi para ministrave të Qeverisë, në mbledhjen e 22 qershorit, duke u votuar për kthimin e tij në këtë pozitë.

    Burim Rreci në shtator të 2018 ishte suspenduar nga kjo detyrë me një vendim të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë të asaj kohe, Bajram Hasani. Ai ishte shkarkuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për ndërhyrje në tenderë.

    “Për shkak të paaftësisë profesionale dhe keqadministrimit që kanë rezultuar me shkelje sistematike… Po ashtu për involvim të drejtpërdrejtë në grante e tenderë si dhe ushtrim i presionit mbi komisionin me rastin e emërimit të shërbyesve civilë”, thuhej në vendimin e ish-ministrit Hasani, shkruan Reporteri.net.

    Një javë pas këtij vendimi, ish-kryeministri Haradinaj e kishte liruar Hasanin nga detyra e Ministrit me arsyetimin se një gjë të tillë e ka kërkuar Nisma për Kosovën.

    Burim Rreci ishte emëruar sekretar i përgjithshëm i MTI-së nga qeveria e Kosovës përkundër që sipas raportimeve të mediave nuk i kishte plotësuar kushtet minimale për të qenë në atë pozitë, sipas vlerësimit të partnerit të Ambasadës Britanike.

    Zgjedhja e tij në krye të shërbyesve civil të MTI-së kishte ngjallur reagime edhe të shoqërisë civile, shkruan Reporteri.net.

    “Burim Rreci, i cili është zgjedhur nga qeveria si sekretar i përgjithshëm, ishte renditur i katërti me pikë. Ai arriti që të përfshihet në listën e tre kandidatëve të cilat MAP-i i ka dërguar në qeveri vetëm pas largimit nga procesi në mënyrë të pashpjegueshme të njërit prej kandidatëve”, thuhej në reagimin e këtyre organizatave.

    Zgjedhja e Rrecit sekretar i përgjithshëm i MTI-së ishte njëra nga proceset e prokurimit me të cilin nuk ishin ndarë të kënaqur Ambasada Britanike, e cila po e ndihmonte Qeverinë dhe Kuvendin në procese të rekurimit për pozitat e larta.

    Vendimi për suspendimin e Rrecit nga MTI-ja i kushtoi atëkohë, Bajram Hasanit, me shkarkim nga ish-partia e tij, Nisma Socialdemokrate.

    Burim Rreci, muaj më parë, kishte pasur edhe një përplasje fizike me Arian Krasniqin, që është djalë i vëllait të Jakup Krasniqit, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, gjatë kohës sa kjo ministri udhëhiqej nga Endrit Shala./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!