Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për dëbimin e ambasadorit rus nga Shqipëria, deklaroi se çështja mund të jetë thellësisht politike.

Nazarko shton se arsyeja e gjetur, shëndetësore duket mjaft kreative, duke vlerësuar se edhe Rusia mund të marrë masa dëbimi ndaj ambasadorëve shqiptarë në Moskë.

“Largimi i diplomatit mund të jetë e lidhur me aleatët tanë, SHBA dhe NATO. Arsyeja e zgjedhur duket kreative, që të mos fyhet Rusia, mos të duket Shqipëria vend paranojë në largimin e diplomatit rus. Shqipëria zgjodhi arsye shëndetësore dhe jo ata të papërshtatshmërisë, edhe për të mos prishur marrëdhëniet.

Edhe Rusia mund ta marrë një masë të tillë, edhe Shqipëria mund të ngelet pa diplomat. Largimi i diplomatit mund të jetë për çështje politike, por bëhet në sfond shëndetësor, por është tregues i një fërkimi që mund të ekzistojë.  Sfondi është shëndetësor, por mendoj se ka arsye politike që nuk lidhen vetëm me Shqipërinë”, tha Nazarko.

Mentor Nazarko foli edhe për zgjedhjet e 25 prillit, duke thënë se fushata mund të ndikojë shumë tek rezultati final.

Në këto zgjedhje janë shtuar sondazhet. Sondazhet janë ushtrim statistikor i shtrenjtë. Kam parë sondazhet me distancë higjienike, sepse shpesh ofrohen me opsionet që të hash supën ose të hidhesh nga dritarja. Shqipëria do zgjedhë që të zgjedhë kryeministrin për mandat të tretë ose një opozite që nuk është formatuar në mënyrë të atillë, që të përballojë këtë kryeministër.

Fushata do ndikojë shumë tek rezultati. Fushata zhvillohet për të pasur një votë pro Ramë ose antiRamë. Ndarja në qarqe është bërë nga PS më shumë, është sistem që më shumë priviligjon PS-në, por privilegjon dy partitë e mëdha. Ende jemi herët të kuptojmë se kush fiton”, u shpreh Nazarko.

Më tej, Nazarko nënvizoi se opozita mund të dalë me dy lista në zgjedhje.

“Miniera e votës është tek zona gri. Zgjidhja më e mira do ishte që opozita të dilte me një listë të përbashkët dhe njerëz të zgjedhur. Opozita mund të dalë me dy lista. Sondazhet duhet të na thoshin për shembull që kemi kryeministër një njeri që në tetë vjet nuk ka dhënë gjë, por ende nuk e kemi këtë. Fryma është momenti kyç që mund të përcaktojë fatin e zgjedhjeve të 25 prillit. Fryma për ndryshim do të duhej të reflektohet që tani”, tha Nazarko.

Duke folur për zgjedhjet në Kosovë, Nazarko deklaroi se Vetëvendosje dhe zonja Osmani mund të marrin shumicën e votave, për shkak se ata kanë gjetur mjaft mbështetje, sidomos tek rinia.

Sondazhet në Kosovë reflektojnë prirje. Vetëvendosje ka arritur të ketë mbështetës tek elektorati i ri, duke krijuar idenë se janë e reja dhe janë të ndryshëm. Kjo ka krijuar efekt ortek, që mund të jetë votë popullore. Vetëvendosje dhe zonja Osmani mund të arrijë shumicë votash. Kjo gjë nuk do prodhojë stabilitet, aq më tepër që Kosova duhet ta kishte zgjedhur presidentin”, përfundoi Nazarko.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb