Bletët nuk po ‘flenë’ mjaftueshëm, prej përdorimit të pesticideve nga njerëzit

22/01/2021 21:39

Ne të gjithë ndjehemi “më të zgjuar” kur kemi bërë një gjumë të mirë natën, dhe e njëjta gjë vlen edhe për insektet.

Dy studime të fundit kanë zbuluar se një pesticid i përdorur gjerësisht nga fermerët prish gjumin e bletëve dhe mizave, çka mund të ketë pasoja të konsiderueshme për popullatën e insekteve.

Në një prej studimeve, kërkuesit analizuan efektin e pesticideve në sjelljen e grerëzave duke i ushqyer ato me nektar sheqeri të përzier me neonikotinoidë — që janë nga pesticidet më të përdorura — dhe më pas gjurmuan lëvizjet e tyre teksa kërkonin për ushqim.

Volumi i pesticidit të dhënë grerëzave e bletëve në eksperiment, ishte sipas studiuesve i njëjtë me atë çka bletët bien në kontakt gjatë aktivitetit të tyre të përditshëm, dhe efektet ishin të dukshme.

“Kjo duket se çorienton orën trupore të bletëve, i bën ato të shpenzojnë më pak kohë duke kërkuar ushqim dhe i detyrojnë të flejnë më shumë gjatë ditës, duke shkaktuar keqrenditje të sjelljeve të tyre normale”, tha Kiah Tasman, pedagoge fiziologjie, farmakologjie e neuro-shkencash në Universitetin e Bristol në Britani.

Ajo shtonte se kjo mund të ketë pasoja serioze: “Kjo është shqetësuese sepse edhe studime të tjera kanë treguar se motivim i blerëve për të punuar është në rënie”.

Shumë bimë, duke përfshirë dhe frutat e perimet me të cilat njerëzit ushqejnë kafshët blegtorale, mbështeten te procesi i pjalmimit për shumimin e tyre, i cili kryhet kryesisht nga bletët.

Rreth 90% e bimëve të egra dhe 75% e drithërave kryesore globale, mbështeten te pjalmimi i kryer nga kafshët ose insektet, thotë organizata e mbrojtjes së botës së egër World Wildlife Fund.

Në këtë aspekt, barra më e madhe e punës i bie bletëve. Bletët e mjaltit janë pjalmueset kryesore dhe departamenti amerikan i bujqësisë thotë se ‘puna’ e tyre për drithërat në SHBA, shton prodhimin me rreth $15 miliardë çdo vit.

Por si bletët dhe kafshë të tjera pjalmuese janë të kërcënuara nga përdorimi i gjerë i pesticideve, nga humbja e habitateve, kriza e klimës dhe parazitët, kështu që shanset e rritjes së motivimit për punë të bletëve në Evropë e SHBA, kanë pësuar një rënie prej 30% në shekullin e fundit.

Tasman shton: “Bletët tashmë janë më dembele dhe dalin gjithnjë e më pak për punë. Nëse ato do të motivohen për të dalë për punë natën, kur shumica e luleve nuk janë aktive, kjo do të dëmtojë rëndë suksesin e tyre në mbledhjen e ushqimit, e rrjedhimisht rritjen e riprodhimin e kolonisë së tyre”.

Ndërsa në një tjetër studim mbi fushën, thuhej se pesticidet me neonikotinoidë vepronin drejtpërdrejt në qelizat e trurit të bletëve përgjegjëse për funksionimin e ‘orës trupore’, pra të orareve të zgjimit, të punës e ushqimit.

“Duket se këto pesticide ngrijnë qelizat e trurit të tyre në formën e kohës ditore, duke bërë që insektet të mos kuptojnë kur është ditë e kur është natë, dhe është e njëjta gjë që po ndodh edhe me mizat”, shton Tasman.

“Kjo na ndihmon të gjejmë rrugët e studimit për të krijuar pesticide më specifike për prodhimet tona, pasi nëse kuptojmë sesi ato veprojnë te insektet, mund t’i kushtezojme të veprojnë edhe te parazitët që duam të eliminojmë”, shton studiuesja. /CNN/ Përgatiti: Andi Lamko/

FOTO GALERI
1/3
"Pesticidet duket se çorientojne orën trupore të bletëve, i bëjne ato të shpenzojnë më pak kohë duke kërkuar ushqim dhe i detyrojnë të flejnë më shumë gjatë ditës”

Top Channel