Biden, mjedisi në qendër të vëmendjes

Jan 23, 2021 | 9:35
SHPËRNDAJE

ORNELA ÇUÇIORNELA ÇUÇI

“Politika e administratës sime është të dëgjojë shkencën; të përmirësojë shëndetin publik dhe të mbrojë mjedisin tonë; të sigurojë qasje për ajër dhe ujë të pastër; të kufizojë ekspozimin ndaj kimikateve dhe pesticideve të rrezikshme; të mbajnë përgjegjësi ndotësit, përfshirë ata që dëmtojnë në mënyrë proporcionale komunitetet me ngjyrë dhe komunitetet me të ardhura të ulëta; të zvogëlojë emetimet e gazeve serrë; të forcojë rezistencën ndaj ndikimeve të ndryshimit të klimës; të rivendosë dhe zgjerojë thesaret dhe monumentet tona kombëtare; dhe t’i jepet përparësi si drejtësisë mjedisore, ashtu edhe krijimit të vendeve të punës të mirë-paguese të sindikatës, të nevojshme për të përmbushur këto qëllime”.

Deri më sot, kjo ka qenë deklarata më e madhe në mbështje të mjedisit dhe specifikisht ndryshimeve klimatike, propozuar nga një president i SHBA-ve. Vetëm disa orë pas inagurimit të tij, Presidenti Biden nënshkroi mes të tjerëve edhe synimin e tij të premtuar gjatë fushatës, për një ndryshim të menjëhershëm të këndvështrimit mbi ndryshimet klimatike dhe kthimin e Shteteve të Bashkuara në Marrëveshjen e Parisit. Tërheqja e Amerikës nga kjo Marrëveshje ishte një nga lëvizjet më emblematike të Donald Trump. Marrëveshja e Parisit është nënshkruar nga pothuajse çdo vend në botë, e megjithatë, kjo nuk e ndaloi ish-presidentin republikan të informojë Kombet e Bashkuara për qëllimin e tij për të tërhequr Uashingtonin nga ajo në 2019 për ta zbatuar zyrtarisht këtë tërheqje, në nëntor 2020. Ndër të tjera, ky vendim nënkuptonte një ulje drastike të kontributit të SHBA-së në fondin e klimës, i cili po ndihmon vendet e varfëra, përfshirë edhe Shqipërinë, që të përballen me ndikimin e ndryshimit të klimës.

Zgjedhja e Joe Biden si President i Shteteve të Bashkuara duket se është një mundësi për BE-në dhe Qeverinë e re të SHBA-së për të rivendosur partneritetin transatlantik. Parlamenti planifikon të diskutojë propozimet për bashkëpunim më të ngushtë me Uashingtonin, nga trajtimi i pandemisë dhe pasojave të saj, te politika klimatike, tregtia dhe promovimi i demokracisë. Në planin e tij parashikohen mbështetje për industri të reja inovatore të gjelbra të cilat do të krijojnë vende të reja pune, duke u përqendruar tek prodhimi i energjisë së pastër. Specifikisht, Biden shpalli se synon ta bëjë Amerikën superfuqi për prodhimin e energjisë së pastër duke deklaruar premtimin e demokratëve që deri në 2050-ën,  Amerika do të ketë 100% energji të pastër dhe ekonomi me 0 emetime. Ky është një target më i fortë se ai i BE-së.

Por ky nuk ishte ky hapi më i madh që administrata Biden bëri për të çuar përpara agjendën e saj të klimës, sepse është qartazi një lëvizje për të arritur në bazat e monitorimit dhe kontabilitetit, të metrikës dhe panelit të kontrollit. Ndërsa kompanitë sigurohen të ndjekin të ardhurat dhe shpenzimet e tyre dhe të monitorojnë të gjitha llojet e rreziqeve që kërcënojnë bizneset e tyre financiarisht,  ndikimet nga ndryshimi i klimës dhe emetimet nuk gjurmohen në të njëjtën mënyrë. Ajo që është propozuar dhe vendosur është që të monitorohet me të njëjtin seriozitet dhe profesionalizëm llogaritja e ndikimit të klimës përmes asaj që quhet “kostoja sociale e karbonit”, edhe këtu po njëlloj të zbatohen parimet financiare e të kontabilitetit.

Midis stuhisë së dokumenteve që vinin nga tryeza e z.Biden ishin urdhrat ekzekutivë që bënin thirrje për një rishikim të rregullave të epokës Trump përreth mjedisit dhe rivendosjen e standardeve të rrepta për ekonominë e karburantit, emetimet e metanit, efikasitetin e pajisjeve që shfrytëzon industria e ndërtimit dhe emetimet e përgjithshme.  Por edhe këto hapa ka të ngjarë të zbehen në rëndësi, krahasuar me efektin që do të ketë urdhri i nëntë ekzekutiv që do të shpallet nga Shtëpia e Bardhë e drejtuar nga z. Biden.

Kjo është pjesa që adreson kontabilitetin për përfitimet e zvogëlimit të ndotjes së klimës. Deri më tani, qeveria e SHBA-ve nuk ka pasur një kornizë për të llogaritur ato që i quan “kostot e plota të emetimeve të gazeve serrë” duke marrë parasysh “dëmet globale”.

Seksioni specifik i urdhrit që adreson kontabilitetin dhe llogaridhënien kërkon që një grup pune të dalë me tre metrikë – kostoja sociale e karbonit (SCC), kostoja sociale e oksidit të azotit (SCN) dhe kostoja sociale e metanit (SCM)-që do të përdoret për të vlerësuar dëmet e monetarizuara që lidhen me rritjen e emetimeve të gazeve serrë.

Siç vë në dukje urdhri ekzekutiv, “(një) kosto e saktë sociale është thelbësore për agjencitë për të përcaktuar me saktësi përfitimet sociale të reduktimit të emetimeve të gazeve serrë kur kryejnë analiza të përfitimeve të kostove të veprimeve rregullatore dhe të tjera”.  Ajo që administrata po bën është të përpiqet të sigurojë një shifër financiare për dëmet e shkaktuara nga emetimet e gazeve serrë në drejtim të rritjes së normave të interesit dhe tokës bujqësore të shkatërruar dhe infrastrukturës së dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore të lidhura me ndryshimin global të klimës.

Këto lloj standardesh nuk janë të përgjithshme apo jo të matshme,  por  janë mënyra konkrete për të përcaktuar llogaridhënien. Kjo përgjegjësi do të bëhet kritike ndërsa Amerika ndërmerr hapa për të përmbushur synimet e vendosura në Marrëveshjen e Parisit.

Pra gjithçka, edhe ndryshimet klimatike, në fund vërtiten rreth ekonomive, njësoj si edhe marrëdhëniet mes vendeve. Marrëdhënia SHBA-Kinë-Rusi-BE po bëhet gjithnjë e më konfuze, bazuar në mosmarrëveshjet mbi COVID-19, marrëveshjet ekonomike dhe tregtare, ndryshimet klimatike, 5G dhe çështje të tjera të rëndësishme që e bëjnë jetën të vështirë për miliarda njerëz në të gjithë botën! Për këtë arsye, është mirë të njihen të paktën karakteristikat themelore të administratës së re të SH.B.A.-së, në mënyrë që të merren më shumë të dhëna se ku po shkon çështja. Presidenti i zgjedhur Joe Biden dihet që ka bërë fushatë në një platformë ekonomike për të mbështetur klasën e mesme, për të zgjeruar kujdesin shëndetësor, për të rritur taksat për të pasurit dhe për të investuar triliona dollarë në infrastrukturën e energjisë së gjelbër, ndër çështje të tjera. Administrata e tij  gjithashtu do të duhet të merret me kostot në rritje të luftimit të pandemisë së koronavirusit dhe dëmit ekonomik të shkaktuar prej saj.

Tashmë mbetet për t’u parë se si këto standarde të padëgjuara më parë mjedisore, Shtëpia e Bardhë do t’i përkthejë në aksione konkrete, e për më tepër a do të jenë në gjendje këto standarde të kalojnë në efektin DOMINO për gjithë vendet e tjera.

E mbi të gjitha, mesazhi që vjen nga kjo erë e re amerikane është se mjedisi nuk është vetëm shëndet, por mbi të gjitha, mirëqënie dhe ekonomi!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura