Gjyqtari vendos lidhur me kërkesën e Kadri Veselit për lirim të përkohshëm

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së ish- Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për lirim të përkohshëm.

Në kërkesën e tyre, mbrojtja e Kadri Veselit ka kërkuar lirimin e përkohshëm të tij pasi që sipas tyre nuk paraqet asnjë rrezik lirimi i tij, duke pasur parasysh bashkëpunimin e Veselit në këtë proces.

Por, Prokurori i Specializuar e ka konsideruar një rrezik mbrojtjen në liri, sidomos pasi Veseli të kuptojë më shumë për përmbajtjen e provave kundër tij.

“Pjesëmarrja e tij vullnetare në intervistim në Hagë më 19 dhjetor 2019, dhe fakti që përpara konfirmimit të aktakuzës, Veseli në mënyrë aktive ka deklaruar se do të dorëzohët në rast se konfirmohet aktakuza ndaj tij, tregon se nuk paraqet rrezik lirimi i tij”, thuhet në kërkesën e mbrojtjes.

Sipas mbrojtjes së Kadri Veselit në rast se Veseli do të tentonte të ikë nga Gjykata Speciale do të kishte bërë ndërmjet qershorit dhe nëntorit të vitit 2020, kur ai ishte në dijeni të egzitencës së aktakuzës së pakonfirmuar atëherë për vrasje të shumta si dhe krime kundër njerëzimit, pasi që në atë kohë ai nuk iu nënshtrua asnjë kufizimi mbi lirinë e tij të lëvizjes dhe mund të kishte shkuar në mënyrë të ligjshme në një vend pa marrëveshje të ekstradimit me Kosovën.

Në refuzim të kërkesës, Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka konkluduar se ekziston rreziku që Veseli të ikë, ose pengojë përparimin e procedurave.

Gjithashtu, Prokuroria pretendon se Veseli mund të udhëtojë në mbi 180 shtete të botës dhe mund të vendoset në ndonjë përgjithmonë diku, përtej mundësive të Dhomave të Specializuara.

Kurse thirrjet publike të Veselit për respektim të integritetit dhe procesit gjyqësor, Prokurori i Specializuar i ka konsideruar se janë bërë për shkak të synimit për të kërkuar lirim të përkohshëm.

“Thirrjet publike të Veselit për respektimin e integritetit të procesit gjyqësor pas dorëzimit të tij janë të mirëseardhura, por u bënë qartë vetëm për shkak të nevojës dhe synimit të Veselit, për të kërkuar lirim të përkohshëm”.

Përgjigjen e plotë të Prokurorisë në kërkesën për lirimin e përkohshëm të Veselit mund ta gjeni në gjuhën angleze KËTU.

Më 5 nëntor 2020, Kadri Veselit i ishte konfirmuar aktakuza e ngritur nga Gjykata Speciale për krime lufte.

https://kallxo.com/lajm/prokurori-i-specializuar-kundershton-kerkesen-e-kadri-veselit-per-lirim-te-perkohshem/