Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ajo çfarë ndodhi dje në mbledhjen e KQZ-së – ku nuk u certifikuan listat e Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës – është e paprecedentë.
“Ajo çfarë kemi parë dje në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë e paprecedentë, e pahijshme dhe rrjedhimisht e papranueshme për një institucion që duhet doemos ta ruajë integritetin e tij”.
“Si ushtruese e detyrës së presidentes kam obligim, në bazë të Kushtetutës, që të sigurojë funksionimin kushtetues të institucioneve të Kosovës. Para syve të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në transmetim të drejtpërdrejtë në televizion, dje u bë presion marramendës ndaj Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, si dhe u tolerua dhe u ushtrua presion dhe kërcënime ndaj udhëheqësit të kësaj zyre. Kjo zyrë vepron si e pavarur politikisht dhe rekomandimet e të cilës i drejtohen KQZ-së për vendime kolegjiale”.
“Të gjithë anëtarët e KQZ-së japin betim, përmbajtja e të cilit kërkon që anëtarët të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të ndershme, të paanshme, ritheksoj paanshme, profesionale dhe të ndërgjegjshme. Një obligim i tillë është në veçanti i rëndësishëm për kryetaren e KQZ-së [Valdete Daka] e cila nuk përfaqëson asnjë parti politike, por emërohet për të mbrojtur paanshmërinë dhe ndershmërinë e këtij procesi”.
“Ajo çfarë ka ngjarë dje e ka lënduar procesin zgjedhor dhe integritetin e KQZ-së. E kemi detyrë që me çdo kusht ta shpëtojmë këtë proces, prandaj në asnjë moment dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që të biem në kurthat që ndërtohen në mënyrë që ky proces zgjedhor të parandalohet dhe stërzgjatet. Zgjedhjet duhet dhe do të mbahen më 14 shkurt”