Ilustrim

Moderna duket se funksionon kundër varianteve të reja të coronavirusit

Vaksina e kompanisë amerikane Moderna duket se funksionon kundër varianteve të reja të coronavirusit, të zbuluara në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Afrikën e Jugut, thonë shkencëtarët e kompanisë.

Sipas tyre, testet e hershme laboratorike sugjerojnë se antitrupat që nxit vaksina, mund t’i njohin dhe luftojnë variantet e reja.

Megjithatë, shkencëtarët thonë se për ta konfirmuar këtë, duhet të bëhen më shumë studime.

Variantet e reja janë përhapur shpejt në disa vende.

Ato kanë pësuar ndryshime ose mutacione, që do të thotë se mund t’i infektojnë qelizat njerëzore më lehtë sesa versioni origjinal i coronavirusit.

Ekspertët besojnë se varianti i Mbretërisë së Bashkuar, i cili është shfaqur në shtator, mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm.

Vaksinat aktuale janë krijuar rreth varianteve të mëparshme, por shkencëtarët besojnë se ato duhet të funksionojnë edhe kundër varianteve të reja.

Për hulumtimin e kompanisë Moderna, studiuesit kanë shikuar mostrat e gjakut të marra nga tetë persona, që kanë marrë dy doza të rekomanduara të vaksinës Moderna.

Gjetjet duhet të rishikohen nga kolegët, por sugjerojnë se imuniteti nga vaksina i njeh variantet e reja.

Moderna aktualisht po teston nëse dhënia e dozës së tretë përforcuese mund të jetë e dobishme./REL